Rritet importi i karburanteve – Në Janar u blenë më pak kafe, cigare dhe birrë nga jashtë
Muaji i parë i vitit ka nisur me rritje të importit të karburanteve krahasuar me vitin e kaluar. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga mallrat kryesore të akcizës, zhdoganimet e karburanteve rezultojnë me rritje, ndërsa produktet e tjera kanë pësuar rënie.
Konkretisht importi i karburantit është rritur me 5300 ton, krahasuar me Janarin 2023 dhe në total është blerë një sasi prej 46 mijë tonë, duke treguar kështu që qytetarët shqiptarë nuk i kanë frenuar lëvizjet e tyre edhe pas festave të fundvitit.
Ndërsa importi i kafesë rezulton me rënie në 171 ton krahasimisht me Janarin e një viti më parë, dhe në total kanë hyrë nja jashtë kufijve 363 ton.
Rënie ka pasur edhe importi i cigareve, nga 293 ton në Janar 2022 në 218 ton në nisje të këtij viti, gjë e cila duket se ka ardhur për shkak të rritjes së çmimit të cigareve si pasojë e ndryshimit të akcizës, duke bërë që importuesit të blejnë më shumë sasi në muajin Dhjetor të vitit të kaluar në mënyrë që të kishin furnizim.
Nga ana tjetër, importi i birrës ka regjistruar një rënie me afro 816 ton krahasimisht me një vit më parë dhe në total janë blerë 2133 ton nga jashtë. Zakonisht importi i birrës rritet ndjeshëm në prag të sezonit veror për shkak të fluksit të turistëve dhe konsumit më të lartë në verë.
Megjithatë shifrat e Janarit nuk janë tregues i vitit, pasi pritet një sezon shumë i mirë turistik çka do të sjellë konsum më të lartë për këto produkte dhe rrjedhimisht më shumë të ardhura doganore në buxhetin e shtetit.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.