Rritet sërish inflacioni në Turqi, 65% në janar – Guvernatori i ri: Jemi gati për të vepruar!
Inflacioni i Turqisë në janar regjistroi rritjen më të madhe që nga gushti, një zhvillim që mund të testojë vendosmërinë e bankës qendrore për të zbutur shpejt inflacionin pas përfundimit të ciklit shtrëngues muajin e kaluar. Politikëbërësit deklaruan fundin e ciklit shtrëngues muajin e kaluar, por largimi i befasishëm i guvernatores Hafiz Gage Erkan e bën të pasigurt rrjedhën e mëtejshme të politikës monetare. Fatih Karahan, zëvendësguvernatori i zgjedhur për ta zëvendësuar atë, tha se banka qendrore do të ishte gati të vepronte nëse perspektiva e inflacionit përkeqësohej.
Mes një rritje të mprehtë të pagës minimale dhe reformave tatimore të qeverisë, rritja e çmimeve në janar u përshpejtua në 6.7 % nga muaji i kaluar, pas pesë rëniesh mujore radhazi. Inflacioni në bazë vjetore u rrit lehtë në 64.9% nga 64.8% në dhjetor.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Turqisë, duke marrë parasysh mesataret 12-mujore të janarit, çmimet e konsumit u rritën me 54.72 % dhe çmimet e prodhimit vendas u rritën me 47.35 %. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit Vendor tregoi një rritje vjetore prej 65.03 % në miniera dhe gurore, një rritje prej 53.8 % në prodhim, një rritje prej 66.35 % në furnizimin me ujë dhe një rënie prej 32 % në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike dhe gazit.
Ndërsa rritjen më të lartë në janar e ka pasur grupi i restoranteve dhe hoteleve me 92.27 %. Ndër grupet kryesore të shpenzimeve të përfshira në Indeksin e Çmimeve të Konsumit – IÇK, rritja më e lartë vjetore në muajin janar ishte në grupin e restoranteve dhe hoteleve me 92.27 %.
Sa i përket grupeve kryesore të shpenzimeve, grupi kryesor që shënoi rënien më të madhe në janar krahasuar me muajin paraardhës ishte veshja dhe këpucët me 1.61%. Grupi kryesor me rritjen më të lartë mujore në janar ishte shëndetësia, me 17.68 %.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.