Sa kushtoi shërbimi i borxhit publik në vitin 2023? – Pagesat për principal u rritën në 53,2 miliardë lekë, nga 38.3 miliardë një vit më parë
Ndërsa borxhi publik është ulur gjatë tremujorit të fundit 2023, si në terma nominalë, ashtu edhe në raport me Produktin e Brendshëm Bruto rritje kanë shënuar kostot e shërbimit të tij. Ministria e Finacave raporton se këto kosto arritën në 100.8 miliardë lekë në fund të vitit 2023, nga 78 miliardë një vit më parë, me një rritje prej rreth 28%.
E shprehur në raport me produktin e Brendshëm Bruto, shërbimi i borxhit është rritur në 2023 në nivelin 4.36%, nga 3.65% një vit më parë. Kosto kaq të larta të shërbimit të borxhit mbi vlerën 100 miliardë lekë nuk haseshin që në 2015. Megjithatë, në atë kohë ato zinin 7% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Pjesën më të madhe të këtyre kostove e zë principali i paguar nga shteti shqiptar, i cili për vitin e shkuar është rritur në 53,2 miliardë lekë, nga 38.3 miliardë një vit më parë. Pjesa tjetër e kostove të shërbimit përbehen nga shlyerjet e interesave, të cilat raportohen në vlerën 47,5 miliardë lekë në 2023, nga 39.6 miliardë një vit më parë. Prej tyre 29 miliardë lekë u përkasin interesave të paguara për borxhin e brendshëm, ndërsa 18.5 miliardë për borxhin e jashtëm.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, niveli i borxhit publik ka rënë në fund të 2023 nën 60% të PBB, vlera më e ulët që prej vitit 2008. Stoku i borxhit publik ka zbritur në fund të vitit të shkuar në nivelin 59.22% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Ulja rekord i detyrohet në masë të madhe rritjes së ndjeshme të Produktit të Brendshëm Bruto për shkak të prurjeve të larta buxhetore, por edhe rënies së borxhit në terma nominale, veccanërisht në peiudhën e fundit të vitit që sapo lamë pas. Në fund të vitit 2023, stoku i borxhit publik rezulton 1,368 trilionë lekë, 0.6% më pak se në fund të vitit 2022 kur stoku ishte 1,378 trilionë lekë. Ndërkaq, Produkti i Brendshëm Bruto raportohet në fund të vitit 2023 në vlerën 2.3 trilionë lekë, nga 2.1 trilionë një vit më parë.
Ka qenë gjysma e dytë të vitit 2023 periudha në të cilën parametrat e borxhit kanë njohur përmirësim të ndjeshëm, pas një rritje të ndjeshme në gjashtëmujorin e parë kryesisht për shkak të eurobondit prej 600 milionë eurosh të metuar nga qeveria në muajin qershor.
Nga 1.376 trilionë lekë në tremujorin e parë të vitit, stoku i borxhit u rrit në 1.410 trilionë në fund të tremujorit të dytë, duke nisur që prej atij momenti një rënie graduale prej përkatësisht 1.393 trilionë dhe 1.368 trilionë në dy tremujorët pasues.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.