Sa po e lehtëson borxhin qeveritar nënçmimi i euros? – Huaja publike tkurret me thuajse 600 milionë euro edhe për shkak të forcimit të lekut
Nënçmimi i euros në raport me lekun i ka sjellë buxhetit një seri zhvillimesh pozitive, veçanërisht sa i përket borxhit publik. Madje nuk është borxhi i jashtëm ai që po shikon përfitime të dukshme nga kursi i favorshëm i këmbimit, por edhe ai i brendëshmi.
Sa për të sjellë një shembull, efekti i kursit të këmbimit ka sjellë një lehtësim prej 2.1 miliardë lekësh, apo 20 milionë eurosh, në detyrimet që Qeveria ka në obligacionet e emetuara në tregun e brendshëm. Po ashtu, borxhi i garantuar nga Qeveria është lehtësuar me -2.8 miliardë lekë, apo afërisht 28 milionë euro për shkak të nënçmimit të kësaj të fundit në raport me lekun.
Ndërkaq që, ashtu siç mund të merret me mend, shumë më i lartë është përfitimi prej mbiçmimit të lekur kur vjen fjala te borxhi i jashtëm. Forcimi i lekut i ka siguruar në total qeverisë një lehtësim prej -61,3 miliardë lekësh të stokut të borxhit të jashtëm, një vlerë e konsiderueshme prej afërisht 600 milionë eurosh.
Detyrimet e kredive të marra nga shteti shqiptar janë tkurrur me -39,3 miliardë lekë për shkak të ndryshimit të kursit të këmbimit. Po ashtu, kreditë shumëpalëshe të marra jashtë kufijve aktualisht peshojnë -28 miliardë lekë më pak në buxhetin e qeverisë, ndërkohë që vetëm për dy eurobondë aktivë, shuma për t’u shlyer është pakësuar me minus 19.1 miliardë lekë. Me 2 miliardë lekë apo afërisht 20 milionë euro është pesha e borxhit që Qeveria u detyrohet Bankave tregtare ose institucioneve të tjera financiare.
Borxhi i jashtëm neto i Qeverisë në dhjetor të vitit 2023 rezulton 5,9 miliardë euro në total, në rritje krahasuar me dy vitet e mëparsëshme 2021 dhe 2022, në të cilët qëndroi në vlerën 5,6 miliardë euro. Për t’u nënvizuar se pjesa dërrmuese e tij, ose 75%, eshtë marrë në monedhën e përbashkët evropiane.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.