Shtëpi për 1 euro, Italia u jep jetë fshatrave të braktisur – Në Mousomeli 300 shtëpi u shitën në pesë vitet e para
Gjithçka filloi me një ofertë tunduese, shtëpi në një qytet piktoresk sicilian, për vetëm një euro. Qyteti i Mousomeli është një fshat i vogël në Siçili, në Italinë jugore, me një histori që daton që nga Mesjeta. Njihet për rrugicat e ngushta piktoreske, shtëpitë tradicionale prej guri dhe kështjellën mbresëlënëse Mussomeli, e ndërtuar në shekullin e 14-të.
Shumë fshatra të vegjël në Itali kanë adoptuar praktikën e ‘Shtëpive 1 Euro’ për të rigjallëruar zonat e braktisura dhe për të tërhequr banorë të rinj. Kushtet e marrëveshjes mund të ndryshojnë, në varësi të fshatit dhe rrethanave, por zakonisht blerësve u kërkohet të rinovojnë pronën dhe të marrin përsipër ta përdorin atë si vendbanimin e tyre kryesor, të paktën për një periudhë të caktuar kohore. Nisma ka tërhequr shumë njerëz, të interesuar për të jetuar në fshatrat tradicionale italiane dhe për të kontribuar në zhvillimin e komunitetit lokal.
Sipas nënkryetarit të bashkisë së qytetit, Mousomeli, nisma në fjalë filloi në vitin 2017 dhe ka ndezur një rigjallërim të përgjithshëm të zonës dikur të shkatërruar, duke tërhequr turistë, punëtorë të largët dhe investime në zonë.
Përpara se programi të zbatohej, qyteti ishte në prag të braktisjes. Pas Luftës së Dytë Botërore, popullsia u ul gradualisht nga 25.000 në rreth 10.000, pasi banorët emigruan në SHBA dhe vende të tjera europiane në kërkim të mundësive më të mira, duke lënë pas dhjetëra shtëpi boshe, veçanërisht në Qytetin e Vjetër.
Kur nisi programi, përgjigja ishte e menjëhershme. Në veçanti, brenda pesë viteve të para janë shitur pothuajse 300 shtëpi – rreth 95% e stokut të banesave për vetëm një euro secila.
Ndërkohë, është vërejtur një rritje dhjetëfish e turizmit. Rritja e fundit e qytetit ka tërhequr gjithashtu investime të rëndësishme – dhjetëra milionë euro – nga Bashkimi Europian dhe qeveria italiane. Këto fonde janë të destinuara për rrugë të reja dhe rimodelimin e sheshit qendror të qytetit të vjetër.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.