Shtohen çatitë me panele diellore – OSSH: Janë vendosur nga 1025 abonentë, fuqia e instaluar arrin në 102 MW
1025 abonentë kanë instaluar panele fotovoltaike, me qëllim vetëprodhimin e energjisë elektrike. Të dhënat janë bërë me dije nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pas interesit të shtuar që u shfaq vitin e kaluar, sidomos nga bizneset që u përballën me cmime të larta të energjisë elektrike.
Sipas OSSH-së, fuqia totale e impianteve të instaluar arrin në 102 MW, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre janë të pozicionuar në Tiranë dhe Durrës. Më konkretisht në këto 2 qarqe janë të vendosur 59% e instalimeve apo thënë ndryshe 627 konsumatorë.
Më herët, Enti Rregullator i Energjisë ka bërë me dije se pjesa më e madhe e impianteve të lidhur me rrjetin iu përkasin bizneseve, që shfaqën interes të shtuar për vetëprodhimin e energjisë, pas nxjerrjes së tyre në tregun e liberalizuar në janar të vitit që shkoi, çka solli përballjen me çmime të larta të energjisë. Pjesa më e madhe e bizneseve të liberalizuar të lidhur në tensionin 20, 10 dhe 6 KV tarifohen me 18.26 lekë/kWh, duke qenë se vijojnë të fuqnizohen nga FSHU, çka nënkupton një rritje me 70% të çmimit, në raport me vitin 2021.
Ndërkaq, rritja e numrit të vetëprodhuesve, ka ardhur pavarësisht skemës së netimit, që është kritikuar shpesh herë nga ekspertët dhe grupet e interesit. Kjo pasi, skema e matjes parashikon bilancin mujor të energjisë, ndërkohë që ekspertët kanë kërkuar që ky bilanc të jetë vjetor, duke qenë se panelet fotovoltaike prodhojnë më shumë energji gjatë stinës së verës. Aktualisht, ndryshimet ligjore po diksutohen në komisionet parlamentare.
Ola Mitre/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.