Treg i përbashkët energjetik Shqipëri-Kosovë – Zhvillohet ankandi i parë, çmimi mesatar arriti në 111.38 euro/mWh
1 shkurti shënon bashkimin zyrtar të tregut energjetik Shqipëri – Kosovë, me lëvrimin e energjisë së tregtuar një ditë më parë në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX. Sipas të dhënave zyrtare, volumi i tregtuar arriti në një sasi modeste prej 2 482 mWh, ndërkohë që çmimi mesatar me të cilin u tregtua energjia është 111.38 euro/ mWh.
Operimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike nisi në prill të vitit të kaluar, ndërkohë që bashkimi i zonave të ofertimit Shqipëri – Kosovë ishte pjesë e planit, për të mundësuar një treg më të gjerë. Gjithsesi, sfidë mbetet sigurimi i likuiditetit të nevojshëm, që përfshin numrin e kompanive të listuara dhe volumet e tregtuara në këtë platformë.
Aktualisht, janë 21 kompani të anëtarësuara, teksa pjesa dërrmuese janë kompani shqiptare. Më konkretisht janë 17 kompani nga Shqipëria, ku përfshihen edhe 5 kompanitë publike të energjisë, dhe 4 kompani nga Kosova. 2 prej këtyre të fundit janë publike dhe 2 të tjerat, private.
Tregtimi i energjisë në bursë paraqet një sërë avantazhesh, duke nisur nga sigurimi i një tregu transparent dhe konkurrues të energjisë elektrike në bazë orare, duke mundësuar që çmimi i energjisë pasqyron vlerën e vërtetë dhe të drejtë të energjisë elektrike në sistem.
Gjithsesi, kjo varet ndjeshëm nga likuiditeti i saj. Po ashtu, krijimi i një tregu të përbashkët energjetik paraqet avantazhe për të dy shtetet, duke mundësuar edhe rritje të sigurisë energjetike.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.