Tregjet europiane presin për një drejtim – Pas mbylljes së sezonit të fitimeve, investitorët të fokusuar te ekonomia
Bursat europiane po shfaqen të qëndrueshme edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin për një drejtim. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rënie të lehtë me 0.1%, ndërsa pas përfundimit të sezonit të fitimeve tremujore nga korporatat, tregjet po presin të tjera të dhëna.
Ndërkohë, shumica e tregjeve në rajonin e Azi-Paqësorit janë mbyllur në rënie, për shkak të performancës së dobët të sektorit të pasurive të paluajtshme në Kinë. Investitorët po presin procesverbalin e takimit të fundit të Rezervës Federale, për të mësuar më tepër në lidhje me qëndrimin e politikëbërësve mbi normat e interesit. Analistët janë thuajse 100% të sigurt se Komiteti Federal i Tregut të Hapur nuk do të ndryshojë normat e interesit në takimin e dhjetorit.
Ndër zhvillimet e tjera, tregu i automjeteve në Bashkimin Europian u zgjerua ndjeshëm, gjatë tetorit, me regjistrimet e automjeteve të reja që u rritën me 14.6%, me bazë vjetore. Ky ishte muaji i 15 me radhë në rritje.
Regjistrimet e makinave të reja në Francë u rritën me 21.9%, ndërsa në Itali me 20% dhe në Spanjë me 18.1%. Gjermania njohu një rritje më të ngadaltë, me 4.9%. Gjatë ditës së sotme nuk pritet të dhëna të rëndësishme dhe për rrjedhojë tregjet pritet të karakterizohen nga qëndrueshmëria.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.