Tregjet presin inflacionin në SHBA – Parashikohet të jetë ngadalësuar në 3.1% për nëntorin
Bursat europiane po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, ndërsa volumi i tregtisë është i ulët pasi investitorët po presin takimet e bankave qendrore më vonë gjatë javës, por edhe të dhënat mbi inflacionin në SHBA që do të publikohen ditën e sotme. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rritje me 0.2%, ndërsa sektori minerar kryeson fitimet, në rritje me 0.7%.
Ekonomistët parashikojnë që indeksi i çmimeve të konsumit të mbetet i qëndrueshëm në nëntor, në krahasim me muajin tetor dhe presin që të jetë rritur me 3.1% me bazë vjetore.
Të dhënat do të publikohet sot, ndërkohë që Rezerva Federale në SHBA fillon takimin dy-ditor, ku do të shqyrtojë politikat monetare dhe do të nxjerrë projeksione ekonomike. Ndërkohë, edhe tregjet në rajonin e Azi-Paqësorit patën një tendencë në rritje, me aksionet në Japoni që realizuan fitimet më të mëdha.
Në Wall Street, ndërkohë, indeksi S&P 500 preku nivelin më të lartë për vitin 2023, duke kaluar 4,600 pikë. Referuar të dhënave të tjera, pagat në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 7.3% në nëntor, me bazë vjetore, nga 7.8% që ishte rritja në tetor, një lajm i mirë për Bankën e Anglisë, që do të marrë vendimet mbi politikat monetare të enjten.
Gjithashtu, edhe Banka Qendrore Europiane do të zhvillojë takimin e saj po të enjten dhe investitorët parashikojnë se normat e interesit nuk do të ndryshojnë. Investitorët presin të mësojnë më tepër se kur mund të vijë ulja e parë e interesave.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.