Turistët e parë në Hënë – Miliarderi japonez prezanton ekuipazhin
Një këngëtar korean i muzikës pop dhe një Dj amerikan do të jenë mes nëntë anëtarëve të misionit “Dear Moon”, të sponsorizuar nga miliarderi japonez Yusaku Maezaua. Të nëntë, përfshirë dhe manjatin e modës, do të nisen në vitin 2023 në udhëtimin e parë përreth Hënës me ndihmën e anijes së vogël hapësinore ‘Starship’ të shoqërisë SpaceX të Elon Musk.
Tetë turistët hapësinorë janë zgjedhur nga një total prej më shumë se një milion konkurentësh, dhe Maezaua – sipërmarrës i tregtisë on line, pasuria personale e të cilit është rreth 2 miliard dollarë – do të mbulojë të gjitha shpenzimet e udhëtimit të paralajmëruar që në vitin 2018.
Mes anëtarëve të ekuipazhit do të jetë dhe një fotograf irlandez, aktori indian Dev Joshi dhe një YouTuber amerikan i specializuar në përmbajtje shkencore.
Sipas miliarderit japonez personat që do të marrin pjesë në këtë mision duhet të shfrytëzojnë eksperiencën në hapësirë për të zgjeruar kufijtë personalë dhe kapacitetet e tyre krijuese në çdo fushë të mundshme, duke kontribuar në përmirësimin e shoqërisë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.