1.5 miliardë USD për fabrikën e re të çipave në Nju Jork – Më shumë ndihma financiare për krijimin e njësive të mëdha në SHBA
Qeveria amerikane po i jep grupit të gjysmëpërçuesve/çipave “GlobalFoundries” – GFS, një subvencion prej 1.5 miliardë dollarësh për të ndërtuar dhe zgjeruar objektet në Nju Jork dhe Vermont. Lëvizja është injektimi i parë i madh i parave në kuadër të programit për të ringjallur prodhimin vendas të çipave, me të tjera që do të pasojnë, siç janë subvencionet për njësitë në Arizona, Teksas, Nju Jork dhe Ohio në javët e ardhshme.
‘Samsung Electronics’ dhe ‘Micron Technology’ gjithashtu kanë paraqitur kërkesa të ngjashme për subvencione, në mënyrë që qeveria amerikane të mbulojë një pjesë të miliarda dollarëve që duhen për të ndërtuar fabrika për teknologjinë më të fundit. Paratë do të shpërndahen gradualisht ndërsa projektet përmbushin etapat e ndërtimit dhe prodhimit.
Kohët e fundit ka pasur një rritje shpërthyese në inteligjencën artificiale gjeneruese, si ChatGPT, duke nxitur kërkesën për çipa të aftë për të trajtuar fuqinë përpunuese të nevojshme nga programet përkatëse.
Subvencionet, të cilat prej muajsh po negociohen, janë një gur themeli i legjislacionit të ri të investimeve, të financuara nga të ardhurat tatimore për kërkimin dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve. Arsyeja është e thjeshtë: pjesa e SHBA-së në prodhimin global të çipave është tkurrur në 12% në 2020-ën nga 27% në 1990-ën.
Ligji parashikon 39 miliardë dollarë në mënyrë specifike për subvencionet e prodhimit, duke pasur parasysh se si nafta e papërpunuar dhe gjysmëpërçuesit tani konsiderohen si burime kritike për sigurinë kombëtare. Uashingtoni po kërkon të ringjallë prodhimin vendas të gjysmëpërçuesve, por gjithashtu të kufizojë ndikimin e Kinës në industri.
Megjithëse presidenti Joe Biden po përdor legjislacionin e gjysmëpërçuesve si një mjet fushate, përparimi në këtë çështje nuk ka qenë siç pritej. U deshën më shumë se 12 muaj për të ngritur zyrën e mbikëqyrjes për programin e subvencioneve dhe më pas për të filluar disbursimin e tyre. Disa nga prodhuesit më të mëdhenj të çipave, si TSMC i Tajvanit dhe Intel i Amerikës, kanë ngadalësuar ndërtimin e fabrikës në krahasim me planet e tyre origjinale. Megjithatë, në përfundim, ata sqaruan se janë të përkushtuar për përfundimin e projekteve të tyre.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.