21 euro një hot dog në Budapest! – Një nga tregjet më të famshme të Krishtlindjeve shokon me çmimet
Hungarezëve mund t’u duhet të heqin dorë nga ushqimi dhe pazari në tregun e Krishtlindjeve në zemër të kryeqytetit të tyre
Në një natë të ftohtë dimri në kryeqytetin hungarez, klientët e një prej tregjeve të hapura më të famshme të Krishtlindjeve në Europë po shfletojnë tezgat, plot me ushqime të ngrohta dhe verë të zier, ndërsa një shfaqje e dritave të Krishtlindjeve ndriçon fasadën e Bazilikës së Shën Stefanit.
Megjithatë, pavarësisht nga gëzimi i Krishtlindjes, kriza e kostos së jetesës në vendin e Europës Qendrore do të thotë që shumë hungarezë dhe turistë e gjejnë veten të detyruar të paguajnë një faturë tepër të lartë për tregjet e dashura vjetore.
Një tas ‘gulash’, pjatë tipike hungareze, për 12 euro, një lakër e mbushur rreth 17 euro, një hot dog mbi 21 euro: janë këto çmimet e këtij viti mes tezgave të tregut të Krishtlindjeve. Në një vend ku paga mesatare neto është më pak se 830 euro në muaj, këto çmime janë të papërballueshme për shumicën e hungarezëve.
Çmimet e ushqimeve në tregun e njohur Advent Bazilika dhe tregu aty pranë Sheshit Vorosmarty kanë ndezur një valë polemikash në mediat lokale javët e fundit. Disa media kanë krahasuar çmimet me ato të tregjeve të ngjashme në Vjenën më të pasur, më pak se tre orë larg me tren, dhe zbuluan se disa produkte ushqimore janë edhe më të shtrenjta në Budapest.
Sigurisht, tregjet e Krishtlindjeve në përgjithësi janë të dizajnuara për turistët dhe shpesh kanë një çmim premium. Por inflacioni po ndihet në shumë mënyra të tjera në Hungari. Inflacioni ka goditur rëndë vendin në dy vitet e fundit. Për pjesën më të madhe të vitit 2023, Hungaria regjistroi inflacionin më të lartë në Bashkimin Europian, madje duke kaluar 25%. Rritja më e rëndësishme ka të bëjë me çmimet e ushqimeve.
Në një përpjekje për të zgjeruar opsionet për vizitorët më pak të pasur, shitësve ambulantë iu kërkohet të ofrojnë një menu ditore për 4.25 dollarë. Dhe për të bërë ‘gëzuar’, një filxhan vere të zier kushton rreth 3.80 dollarë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.