Nafta, fitime javore prej mbi 6% – Mbështetet nga rihapja e Kinës dhe nga dobësimi i dollarit
Nafta vijon të tregtohet pranë 84 dollarëve për fuçi, edhe në sesionin e sotëm, ndërsa gjatë kësaj jave pritet të publikojë fitime prej mbi 6%. Çmimet janë mbështetur nga pritshmëritë se kërkesa do të rimëkëmbet ndjeshëm në Kinë, pas vendimit të autoriteteve për të lehtësuar masat kufizuese kundër Covid-19.
Edhe ngadalësimi i inflacionit në SHBA ka mbështetur çmimet e naftës. Nafta Brent e Londrës, që është bençmarku global, po tregtohet në rreth 84 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 78 dollarë për fuçi. Analistët deklarojnë se blerjet e fundit të naftës nga Kina dhe rritja e trafikut të automjeteve ka përmirësuar besimin se kërkesa do të rimëkëmbet ndjeshëm në ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Gjithashtu, edhe dobësimi i dollarit amerikan ka mbështetur çmimet, pasi i bën lëndët e para të denominuara në monedhën e gjelbër, më të lira për zotëruesit e monedhave të tjera. Në tregun e metaleve të çmuara, ari është ngjitur mbi nivelin teknik të 1900 dollarëve, ndërsa argjendi po tregtohet në rreth 24 dollarë për onz.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.