Tregjet europiane zgjerojnë humbjet – Fokusi i investitorëve rikthehet te ngadalësimi i ekonomisë
Tregjet europiane janë hapur në rënie edhe në sesionin e sotëm, pasi në vëmendje të tregjeve është rikthyer shqetësimi për ngadalësimin e ekonomisë globale. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie me 0.2%, ndërsa shumica e sektorëve janë në ngjyrë të kuqe.
Sektori minerar po realizon humbjet më të mëdha, në rënie me rreth 1.1%. Gjatë ditës së dytë të dëshmisë në kongresin amerikan, shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell rikonfirmoi se politika monetare do të vijojë të jetë shtrënguese, pasi inflacioni do të qëndrojë i lartë për një kohë të gjatë.
Edhe shumica e tregjeve aziatike dhe atyre amerikane patën një tendencë në rënie. Në fokus të tregjeve do të jetë edhe takimi 2-ditor i Bankës së Japonisë, dhe investitorët po presin të mësojnë nëse do të ketë ndonjë ndryshim në politikën monetare. Kjo do të jetë mbledhja e fundit e guvernatorit, Haruhiko Kuroda, të cilit i përfundon mandati.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.