Dollari e mbyll javën në qëndrueshmëri – Yellen siguron investitorët se depozitat e amerikanëve janë të sigurta
Dollari po tregtohet i qëndrueshëm edhe në sesionin e sotëm, pranë nivelit më të ulët në 7 javët e fundit, pas vendimit të Rezervës Federale për të rritur normën bazë të interesit me 25 pikë bazë. Edhe frika në lidhje me sistemin bankar ka bërë që investitorët të tregohen të kujdesshëm.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 102.5, niveli më i ulët në 7 javët e fundit. Banka Qendrore Amerikane rriti normën bazë të interesit me 25 pikë bazë në takimin e së mërkurës, siç pritej edhe nga analistët, por njoftoi një qasje të kujdesshme në lidhje me problemet e sistemit bankar.
Njëkohësisht, Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen deklaroi përpara ligjvënësve amerikanë se është e gatshme të ndërmarrë veprime të tjera për të siguruar që depozitat e amerikanëve të mbeten të sigurta, në një përpjekje për të qetësuar investitorët. Euro po këmbehet në rreth 1.083 dollarë, duke u tërhequr lehtë nga niveli më i lartë në 7 javë të regjistruar në sesionin e kaluar prej 1.093 dollarë. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 28,200 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në mbi 1800 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.