Kërkesa për gaz në BE – Gjatë vitit 2022 u shënua ulje prej 13.2%
Në vitin 2022, kërkesa për gaz natyror në BE u ul me 13.2 % krahasuar me vitin 2021, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat. Shifrat janë në nivelin e tretë më të ulët që nga viti 2008, kur nisën të reghistroheshin të dhënat. Në vitin 2022, konsumi i gazit ra në pothuajse të gjitha vendet e Bashkimit Europian, përveç Irlandës dhe Maltës.
Ndërkohë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë – IEA – bëri të ditur se objektet europiane të depozitimit të gazit aktualisht janë mbushur deri në 55 %, që është dukshëm më e lartë se niveli mesatar prej 35 % në pesë vitet e fundit.
Në raportin tremujor të IEA, thuhet se në Europë, pas përfundimit të sezonit të ngrohjes, rezerva të konsiderueshme gazi mbetën në depo. Në të njëjtën kohë, IEA është veçanërisht e shqetësuar për parashikimet sipas të cilave furnizimi botëror i gazit natyror të lëngshëm LNG do të rritet me një masë modeste prej 4 % në vitin 2023.
Nga ana tjetër në tremujorin e parë të vitit 2023, prodhimi i gazit në Rusi u ul me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, në 180 miliardë metra kub. Në mars, prodhimi i gazit në Rusi gjithashtu ra me rreth 10%, në 61 miliardë metra kub, sipas burimeve të gazetës ruse Kommersant.
Në tremujorin e parë, Gazprom uli në mënyrë drastike prodhimin e gazit me 18% në 8.6 miliardë metra kub dhe në mars me 22%, në 2.3 miliardë metra kub, për shkak të rënies së eksporteve në Europë.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.