Temperaturat ekstreme në Kosovë – Qeveria merr masa, kufizon orarin e punës për disa kategori
Dorina Kurtaj/ SCAN
Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, qeveria e Kosovës ka marrë masa për kufizimin e orarit të punës nga data 13 korrik deri më 20 korrik 2024.
Sipas vendimit të ministrisë së Shëndetësisë kategoritë që përfitojnë janë gratë shtatzëna, qytetarët me sëmundje kronike dhe punëtorët në sektorin e ndërtimit.
Në njoftimin për mediat thuhet se në varësi të temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, do ndërmerren masa të tjera
Në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë merr vendim që të kufizohet orari i punës nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 për këto kategori: gratë shtatzëna, të cilat do të punojnë nga shtëpia.
Qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.
Ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gjithashtu qeveria ndaloi qarkullimin e automjeteve të peshave të rënda për shkak të temperaturave të larta. Por Klubi i Biznesit ka shprehur “kundërshtimin e fuqishem” ndaj vendimit të fundit të Qeverisë për ta ndaluar qarkullimin e automjeteve me peshë mbi 7.5 tonë nga 14 korriku deri më 31 korrik 2024. Sipas tij ky vendim, do të ndikojë në ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit, të rrisë kostot operative dhe do të ndikojë negativisht në ekonomi sepse me këtë vendim preken prodhuesit, shitësit me pakicë dhe përfundimisht konsumatorët. Aktualisht kur ka “një fluks të madh të kërkesës për furnizime në treg për shkak të vizitës së bashkëkombasve nga diaspora”, Klubi i Biznesit thotë se “një vendim i tillë bëhet edhe më i pakuptimtë”. Ata i bëjnë thirrje qeverisë të rishikojë këtë vendim, të angazhohet në dialog me palët e interesuara dhe të zbatojë masa alternative që nuk e pengojnë aktivitetin ekonomi. Qeveria vendosi ta ndalojë qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me peshë mbi 7.5 tonë “në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale” për shkak të “ruajtjes së rrugëve nga dëmtimet si rezultat i temperaturave të larta”.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.