Britania ndryshon strategjinë për “IA” – Qeveria redukton investimet direkte në industrinë e re
Kristi Ceta/SCAN
Qeveria laburiste e Britanisë po harton një strategji të re, me kosto të ulët për inteligjencën artificiale, duke i dhënë përparësi integrimit të teknologjisë në sektorin publik mbi investimet direkte në industri.
Që nga marrja e detyrës në korrik, qeveria e kryeministrit Keir Starmer ka rishikuar kostot e industrisë së re. Ajo ka tërhequr tashmë një investim prej 1.3 miliardë paundësh në këtë fushë, të planifikuar nga qeveria e mëparshme konservatore. Gjithashtu është hequr dorë nga një investim prej 800 milionë paundësh për të zhvilluar një superkompjuter në Universitetin e Edinburgut.
Shuma 1.3 miliardë paund është relativisht e vogël në peizazhin më të gjerë të inteligjencës artificiale dhe kjo shkaktoi reagime nga drejtuesit e industrisë, të cilët thanë se Britania po bëhet më pak e interesuar në mbështetjen e inovacionit.
Për krahasim, Franca, e cila po ndërton një reputacion si një qendër evropiane për IA gjeneruese, kohët e fundit ka premtuar se do të investojë 2.5 miliardë euro për zhvillimin e teknologjisë brenda vendit.
Qeveria britanike po konsideron gjithashtu heqjen e një zyre të planifikuar në San Francisko për Institutin e saj të Sigurisë IA, sipas një burimi pranë Departamentit për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji. Zyra fillimisht duhej të hapej gjatë verës dhe do të kishte personel të punësuar në përputhje me tarifat e tregut, mbi 100,000 dollarë secili.
Duke sinjalizuar një ndryshim drejtimi, në korrik ministri i teknologjisë shkarkoi një nga bashkëthemeluesit e Institutit të Sigurisë së IA, që mbante rolin e këshilltarit të lartë të politikave.
Sipas burimeve, ministria synon të nxisë integrimin e inteligjencës artificiale në sektorin publik si një mjet për përmirësimin e efikasitetit dhe reduktimin e kostove, duke ulur njëkohësisht investimet direkte të qeverisë në industri.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.