AZHBR, skema mbështetëse për mosdjegien e tokave bujqësore – Diku: Të mundësohen makineri për fermerët, të parandalohet ky fenomen shkatërrues
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural duhet të ofrojë skema mbështetjeje për fermerët, që çojnë në parandalimin e djegies së tokave bujqësore.
Propozimi u bë nga eksperti i mjedisit, Dr. Abdulla Diku, gjatë Forumit Kombëtar mbi “Parandalimin e djegies së tokave bujqësore nëpërmjet përmirësimeve ligjore”, i cili solli shembuj nga vendet e rajonit, ku fermerët janë mbështetur me makineri për krijimin e peletit.
Diku nënvizoi edhe nevojën për përmirësime ligjore në këtë drejtim.
Sipas ekspertit, zbatimi i këtyre politikave nuk pasohet me efekte të mëdha financiare për buxhetin e shtetit.
Rekomandimet erdhën pas një studimi të kryer mbi dëmet që shkakton në mjedis dhe ekonomi djegia e tokave bujqësore, me qëllim parandalimin e këtij aktiviteti shkatërrues mbi tokën, përmes zbatimit të praktikave të mira dhe të qëndrueshme bujqësore, sikurse veprohet në vendet e Bashkimit Europian.
Ola Mitre /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.