BE paguan për transportin e grurit ukrainas – Vendet anëtare marrin përsipër dhe kostot shtesë
Bashkimi Europian është i gatshëm të eksportojë pothuajse të gjithë prodhimin e fermave të Ukrainës përmes “korsive të solidaritetit” dhe të ndihmojë në mbulimin e kostove. Deklarata u bë nga komisioneri i BE-së për bujqësinë, Janusz Wojciechowski, pasi Rusia u tërhoq nga një marrëveshje drithërash e mbështetur nga OKB-ja.
Korsitë e solidaritetit janë lidhjet e transportit hekurudhor dhe rrugor përmes vendeve anëtare të BE-së që kufizojnë Ukrainën si Polonia dhe Hungaria, ndërsa korsia më e rëndësishme është përmes Rumanisë.
Wojciechowski tha se BE po analizonte disa nisma nga vendet anëtare për të dalë me një plan të përbashkët për të mbuluar kostot shtesë të transportit.
Marrëveshja e Detit të Zi, e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia korrikun e kaluar, synonte të ndihmonte në parandalimin e një krize globale ushqimore, duke lejuar eksportimin e sigurt të grurit të bllokuar nga lufta në Ukrainë. Rusia u tërhoq javën e kaluar.
Rreth 60% e eksporteve të Ukrainës u dërguan përmes korsive të solidaritetit dhe 40% kalonin përmes Detit të Zi, ndërsa marrëveshja e grurit e mbështetur nga OKB-ja ende në fuqi. Skadimi i marrëveshjes pritet të ndikojë shumë në vendet e Afrikës që vareshin nga dërgesat nga deti.
Zgjerimi i tranzitit të drithërave përmes BE-së është i rëndësishëm për Poloninë dhe disa vende të tjera të BE-së në kufi me Ukrainën, ku fermerët janë nën presion nga rritja e importeve ukrainase.
Në maj, BE lejoi pesë vende afër Ukrainës – Bullgarinë, Hungarinë, Poloninë, Rumaninë dhe Sllovakinë – të ndalonin shitjet e brendshme të grurit, misrit dhe farave vajore ukrainase duke lejuar kalimin përmes tyre për eksport të mëtejshëm. BE do ta rishikojë ndalimin pasi disa vende kërkuan shtyrje përtej skadimit të afatit të 15 shtatorit.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.