BE zbut rregullat për bujqësinë e gjelbër – Lehtësim të kufizimeve nën presionin e protestave
Nën presionin e fermerëve në të gjithë Europën dhe kërcënimit të prishjes së sigurisë ushqimore të qytetarëve të Bashkimit Europian, duket se Brukseli është gati për t’iu dorëzuar kërkesave të tyre. Ky veprim sinjalizon një reduktim të objektivave për menaxhimin e ndryshimeve klimatike dhe zbutjen e efektit serë nga 27 vendet anëtare.
Udhëheqja e Bashkimit Europian – dhe në funksion të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor – është e interesuar të qetësojë punëtorët e zemëruar të fermave, të cilët po reagojnë ndaj kufizimeve të rrepta dhe të kushtueshme, por edhe ndaj rritjes rekord të kostove të tyre. Megjithatë, përveç zgjedhjeve europiane, mbahen edhe ato kombëtare, si në rastin e Francës.
Në mënyrë të veçantë, Komisioni Europian pritej të paraqesë propozimet e tij, me synimin për të zvogëluar edhe më shumë barrën burokratike nga ‘shpina’ e fermerëve dhe për t’u siguruar atyre kushte të barabarta në fushën e konkurrencës ndërkombëtare. Qasja e re e Brukselit ka të bëjë me dhënien e fermerëve të më shumë fleksibiliteti, pa humbur vëmendjen e qëndrueshmërisë.
Për më tepër, Komisioni kërkon të forcojë pozicionin e tyre në sistemin global të zinxhirit të furnizimit. Çështja do të jetë ndër prioritetet kryesore që do të diskutohen në samitin e liderëve europianë në Bruksel këtë javë.
Në veçanti, Komisioni do të propozojë disa ndryshime në lidhje me kuadrin e Politikës së Përbashkët Bujqësore, e cila parashikon dhënien e subvencioneve për sektorin, në mënyrë që ai të përmbushë angazhimet e tij për të parandaluar ngrohjen e mëtejshme globale.
Për më tepër, propozimet e zyrtarëve europianë do të përfshinin gjithashtu përjashtime nga rregullat, të cilat njihen më shpesh si kushte të mira bujqësore dhe mjedisore.
Këto rregulla janë në thelb specifikimet bazë, përcaktuar në kuadrin e Politikës së Përbashkët Bujqësore dhe kanë qenë objektiv i mobilizimeve të gjera dhe shumëditore bujqësore në të gjithë Europën, nga Franca dhe Belgjika në Gjermani dhe Greqi.
Në tryezën e diskutimit është edhe zbutja e rregullave, që kanë të bëjnë me mbulimin e tokës, me qëllim parandalimin e monokulturave dhe efekteve të dëmshme të tyre. Përjashtimet e propozuara do të zbusin gjithashtu ato rregullore që parashikojnë lënien mënjanë, domethënë që fermerët të lënë 4% të tokës së tyre të papunuar për të përmirësuar biodiversitetin. Kjo është një kërkesë e formuluar dhe dërguar Komisionit Europian nga shoqatat bujqësore, siç raportojnë qarqet diplomatike në Bruksel.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.