Bitcoin zbret pranë 41,000 USD – Analistët parashikojnë një çmim prej $75,000 në fillim të 2024
Tregu i kriptomonedhave po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, me bitcoin që ka zbritur pranë 41,000 dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 2,100 dollarë. Sipas të dhënave të Coinglass, gjatë 12 orëve të fundit kanë ndodhur rreth 103 milionë dollarë likuidime, ndërsa 95 milionë prej tyre kanë qënë pozicione afatgjata, ose baste për rritjen e çmimeve.
Megjithatë, analistët shprehen se tregu vazhdon të qëndrojë mjaft mirë, pavarësisht “harkimit” të fundit të Ledger. Ulja e interesave nga bankat qendrore, sipas analistëve, po nxit më shumë interes për bitcoin.
Hakimi masiv i Ledger ka ndikuar disi në hapësirën “DeFi” dhe ngre pikëpyetje të rëndësishme për sigurinë e portofolit. Por, në terma afatgjatë, tregjet vlerësojnë se bitcoin ka baza të mira për tu rritur më tej, gjatë vitit të ardhshëm. Në raportin e fundit të vitit, Woo Network parashkon një çmim prej 75 mijë dollarësh për BTC në fillim të vitit 2024, ndërsa edhe Bitwise ka një objektiv të ngjashëm, pasi parashikon që bitcoin do të tregtohet në mbi 80,000 dollarë.
Ndërkohë, kanë mbetur rreth 20 ditë përpara se bota e kriptomonedhave të futet në financat tradicionale. Deri në 10 janar, rregullatorët amerikanë do të vendosin të miratojnë ose jo fondet e tregtuara në shkëmbim në bitcoin, ose siç njihen ndryshe ETF.
Nëse miratimi do të ndodhë, do të shënonte një moment të rëndësishëm për industrinë e aseteve dixhitale, e cila është ende në gjendje rikuperimi pas falimentimeve masive të vitit 2022, duke përfshirë edhe kolapsin e platformës “exchange”, FTX.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.