Dollari kthen një pjesë të fitimeve – Investitorët presin takimin e FED, norma bazë do të rritet me 75 pikë bazë
Dollari amerikan është tërhequr lehtë në sesionin e sotëm, në raport me monedhat kryesore ndërkombëtare, pasi investitorët po presin përfundimin e takimit të Rezervës Federale të mërkurën. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore po qëndron në rreth 111.4, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me 0.8%.
Në fund të muajit shtator, ky indeks preku nivelin më të lartë në dy dekadat e fundit, prej 114.78. Analistët presin gjerësisht se Rezerva Federale do të rrisë normën bazë të interesit me 0.75 pikë përqindje në takimin që fillon sot dhe përfundon nesër. Kjo do të jetë rritja e kartërt me radhë, ndërsa në takimin e dhjetorit parashikohet edhe një tjetër shtrëngim i politikës monetare me 50 ose 75 pikë bazë.
Në anën tjetër, edhe Banka Qendrore Europiane vijon të gjendet nën presion, pasi inflacioni në Eurozonë rezultoi në 10.7% për tetorin, një nivel i ri rekord. Njëkohësisht, edhe Banka e Anglisë pritet të rrisë normën bazë të interesit po me 75 pikë bazë në takimin e së enjtes. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 20,600 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1590 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.