Erdogan heq kufirin e moshës për daljen në pension – Vendimi i ri prek mbi 2 milionë persona. Në Turqi janë 13.9 milionë pensionistë
Presidenti i Turqisë Erdogan ka hequr kufirin e moshës për daljen në pension, me anë të një vendimi që lejon më shumë se 2 milion turq që të dalin në pension menjëherë. Kjo lëvizje bëhet në më pak se gjashtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në vend.
Njoftimi u bë gjatë një konference për mediat dhe pason një rritje të konsiderueshme të pagës minimale nga qeveria. Partia e kreut të shtetit konfirmoi vendimin gjatë një takimi në kuadër të fushatës elektorale, për të rifituar në këtë mënyrë mbështetjen e votuesve që po përballen me inflacionin, rënien e lirës, si dhe një përkeqësim të standarteve të jetesës.
Nga vendimi i ri do të përfitojnë personat që kanë filluar të punojnë përpara shtatorit të 1999-ës, kur ligji që rregullon kërkesën për daljen në pension ndryshoi. Si dhe ata që kanë mbushur 20 – 25 vjet pune të regjistruar në sigurimet shoqërore. Deri tani mosha e daljes në pension ishte 58 vjec për gratë dhe 60 për burrat. Ministri e punës dhe sigurimeve shoqërore theksoi se sistemi i ri do të kushtojë më shumë se 5.35 miliardë dollarë. Por gjithësesi shifra nuk mund të konsiderohet e saktë sepse nuk dihet sa njerëz do të përfitojnë nga ky vendim duke dalë menjëherë në pension.
Erdogan më herët tha se 2.25 milionë persona kishin të drejtë të dilnin në pension menjëherë. Aktualisht, në Turqi janë 13.9 milionë pensionistë.
Vendi më parë u përfshi nga protestat me punëtorët që kërkonin të plotësonin vetëm numrin e detyrueshëm të ditëve të punës për të dalë në pension duke kundërshtuar kufirin e moshës. Vendimi i ri i jep pikë më shumë Erdogan para zgjedhjeve që do të mbahen në muajin qershor të 20223-shit.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.