Kryeministrja italiane Meloni, probleme me BQE – Arsyeja e “përplasjes” fondi i shpëtimit për Eurozonën
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni kritikoi ashpër institucionet financiare të Bashkimit Europian, duke i kërkuar Bankës Qendrore Europiane të jetë më e kujdesshme me mënyrën si komunikon dhe duke shtuar se fondi i shpëtimit i eurozonës nuk shërben për asnjë qëllim të dobishëm.
Gjatë një konference për mediat, Meloni theksoi se BQE duhet të shmangë zgjedhjet që përkeqësojnë situatat për sa i përket ekonomisë së bllokut, duke iu bashkuar kritikave të bëra ndaj bankës këtë muaj nga disa prej ministrave kryesorë të qeverisë së saj.
Në mbledhjen e fundit, BQE rriti normën e saj të interesit me 50 pikë bazë sic edhe pritej, por në të njëjtën kohë sinjalizoi se do të ketë dhe më shumë rritje në muajt e ardhshëm, duke shkaktuar një shitje të obligacioneve të qeverisë italiane. Meloni u shpreh se do të ishte e dobishme nëse BQE-ja do të komunikonte më mirë, në të kundërt rrezikon të shkaktojë luhatje në treg që anulojnë përpjekjet që po bëjnë qeveritë.
Duke iu kthyer fondit të shpëtimit të eurozonës, Meloni nuk dha asnjë të dhënë nëse Italia do të ratifikonte një traktat që rinovon të ashtuquajturin Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM) dhe tha se ajo besonte se askush nuk do ta përdorte kurrë fondin në formën e tij aktuale. Italia është i vetmi vend i eurozonës që po zvarritet mbi reformën ESM, e cila do t’i jepte institucionit detyrën për të ofruar një ‘backstop’ për t’u marrë me bankat në dështim, në kontekstin e Unionit Bankar. Gjithashtu do ta bënte më të drejtpërdrejtë ristrukturimin e borxhit sovran në eurozonë.
Por Meloni theksoi se kishte frikë se fondi nuk do të përdoret kurrë. Kjo sepse kushtet janë shumë të ashpra dhe çdo vend që aplikon për një kredi ESM do të shohë një rritje në yield-et e obligacioneve të tij si dhe një seri gjërash të pafavorshme.
Meloni, e cila mori detyrën në tetor në krye të një koalicioni të krahut të djathtë, tha se në vend që të ratifikonte reformën, ajo donte të takonte drejtorin e ESM për të parë nëse ishte e mundur që fondi të përdorej ndryshe.
Meloni, liderja e partisë së djathtë Vëllezërit e Italisë, kritikonte ashpër ratifikimin e traktatit të reformuar kur ishte në opozitë. Pa hyrë në detaje, ajo tha se e parashikon ESM-në si diçka të ndryshme, diçka të paqartë në përdorim, me kushtëzime të ndryshme dhe më të pakta në numër ; si dhe objektiva që janë më të përqendruar në prioritetet e vendit të saj.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.