Euro, e qëndrueshme pranë 1.096 USD – Tregjet presin inflacionin dhe miratimin e ETF-ve në SHBA
Dollari amerikan ka ndalur fitimet e realizuara gjatë sesionit të kaluar amerikan, pasi investitorët rikonfirmuan bastet për uljen e interesave nga Rezerva Federale në SHBA, me besimin se inflacioni po ngadalësohet ndjeshëm.
Euro po këmbehet në rreth 1.0960 dollarë, shumë pranë nivelit më të ulët në tre javët e fundit. Lëvizjet e tregut u nxitën pjesërisht nga sondazhi i Rezervës Federalet të Nju Jorkut për pritjet e konsumatorit, i cili tregoi se parashikimi i inflacionit nga ana e konsumatorëve amerikanë në periudhën afatshkurtër ra në nivelin më të ulët në gati tre vjet, në dhjetor.
Ndërkohë, të dhënat e rishikuara mbi inflacionin në SHBA, që do të publikohen më vonë gjatë javës, do të japin një panoramë më të qartë mbi hapat që do të ndjekë Rezerva Federale. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 102.2, ndërsa javën e kaluar ky indeks u rrit me 1%.
Në Azi, të dhënat e publikuara në Japoni treguan se inflacioni bazë u ngadalësua për të dytin muaj me radhë, gjatë dhjetorit, duke krijuar më shumë hapësira për bankën qendrore që të largohet nga politika monetare ultra-lehtësuese. Në fokus të tregjeve është edhe vendimi i pritshëm i Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA për të miratuar fondet ETF në bitcoin.
Një grup kompanish shpalosën të hënën tarifat që planifikojnë të aplikojnë për ETF-të e tyre në bitcoin, një hap që konfirmon miratimin e tyre këtë javë nga rregullatori amerikan i letrave me vlerë.
Lidion Kulla / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.