FMN, apel qeverive: Vendosni taksën e karbonit! – Kufizon kostot fiskale të trajtimit të ndryshimeve klimatike
Fondi Monetar Ndërkombëtar po u kërkon qeverive të ecin përpara me vendosjen e një takse karboni për të adresuar në mënyrën e duhur kostot fiskale të trajtimit të ndryshimeve klimatike.
Sipas FMN-së, kostoja e trajtimit të ndryshimeve klimatike mund ta vendosë borxhin publik të disa vendeve në një rrugë të paqëndrueshme nëse nuk vendoset taksë për ndotjen.
Raporti i FMN thekson se nëse objektivi i emetimeve zero të karbonit deri në vitin 2050 përmbushet vetëm nga masat e shpenzimeve, atëherë borxhi publik, veçanërisht në vendet me emetim të lartë, mund të rritet deri në 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këtë kontekst, FMN vlerëson se politikat e taksave të karbonit duhet të jenë pjesë “integrale” e çdo pakete të politikave klimatike.
Bashkimi Europian, një rajon me një gjurmë të madhe karboni në krahasim me të tjerët, ka nisur kohët e fundit një fazë prove të taksës së kufirit të karbonit, e cila pritet të stimulojë partnerët e saj tregtarë për të taksuar emetimet e karbonit.
Megjithatë, pavarësisht se shumë qeveri zbatojnë një përzierje të sistemeve të çmimeve të karbonit, vendet e pasura vazhdojnë të mos përmbushin objektivat e tyre mjedisore.
Sipas një analize të përbashkët nga FMN dhe Banka Botërore në një raport tjetër, politikat ekzistuese dhe të planifikuara klimatike do të reduktojnë emetimet e G20 me vetëm 13% deri në vitin 2030. Një ulje prej 30% konsiderohet më se e nevojshme për të përmbushur objektivat e temperaturës globale të Marrëveshjes së Parisit, paralajmëroi FMN.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.