Gjermania nis subvencionet e gjelbra për industrinë – Financimi pritet të arrijë në 4 miliardë euro
Gjermania nisi një proces tenderimi për subvencione në mbështetje të kompanive me energji intensive, që kalojnë në prodhimin e gjelbër në një raund financimi prej 4 miliardë euro, tha ministria e ekonomisë.
Si pjesë e ambicieve të Gjermanisë për t’u bërë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2045, Berlini planifikon t’u japë kompanive në sektorë të tillë si çeliku, qelqi, letra dhe kimikatet, subvencione 15-vjeçare në këmbim të reduktimit të emetimeve të karbonit në prodhim.
Komisioni Evropian ka miratuar instrumentin ku kompanitë do të përzgjidhen përmes një procesi tenderimi, duke konkurruar për uljen e emetimeve me koston më të lirë.
Nëpërmjet të ashtuquajturave kontrata për mbrojtjen e klimës, kompanitë do të kompensohen për kostot shtesë të prodhimit të gjelbër në industritë ku proceset e prodhimit miqësore me klimën nuk mund të funksionojnë aktualisht në mënyrë konkurruese.
“Sot është një ditë e mirë për Gjermaninë si një vend industrial, për mbrojtjen e klimës dhe për punë të qëndrueshme në vendin tonë”, tha ministri i Ekonomisë Robert Habeck.
Berlini fillimisht kishte planifikuar të ofronte subvencione deri në një shumë mesatare dyshifrore prej miliarda euro, por programi u rrezikua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar që ndalonte qeverinë të përdorte rreth 60 miliardë euro borxh për projektet e mbrojtjes së klimës.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.