“Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!” – Guvernatori Sejko dhe ministrja Manastirliu, në çeljen e “Javës Globale të Parasë”
Në çeljen e “Javës Globale të Parasë”, një fushatë mbarëbotërore theksi është vënë në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut mbi rëndësinë e edukimit financiar të brezit të ri. Në ceremoninë e zhvilluar pranë Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Gent Sejko, u shpreh se kjo fushatë përfaqëson një rast shumë të mirë për politikbërësit, sistemin arsimor, atë bankar dhe biznesin që të bashkëpunojmë me qëllim që të afrohemi tek të rinjtë për t’i mësuar mbi rëndësinë e parasë, planifikimit dhe vendimmarrjeve të shëndosha financiare.
Tema e këtij viti “Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!”, thekson nevojën për të përqafuar një qasje të përgjegjshme dhe të informuar në administrimin e financave personale, duke u bërë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale në ndërveprimin financiar. Është shumë e rëmdësishme për të rinjtë të identifikojnë rreziqet e lidhura me mashtrimet online, si dhe rreziqet e tjera që rrjedhin nga informacionet dhe këshillat e pasigurta. Si mund të lexoni dhe në agjendën e javës, për të edukuar në këtë drejtim të rinjtë dhe më të vegjlit, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me partnerët e saj do të organizojë programe dhe aktivitete edukativë në të gjithë vendin.
Në sajë të iniciativave të saj, Banka e Shqipërisë vëren me kënaqësi një rritje të ndjeshme të përfshirjes financiare.
Numri I transaksioneve përmes pagesave elektronike ka rezultuar në rreth 48 milionë, si nga bankat ashtu edhe jobankat, duke pasqyruar një rritje prej 26% në numrin e tyre, krahasuar me vitin 2022.Gjithashtu, numri I llogarive të aksesueshme nga larg është rritur me 24 % në vitin 2023, duke zënë 34% të totalit të gjithë llogarive të klientëve në banka. Megjithatë risitë shoqërohen edhe me rreziqe të reja, siç janë për shembull mashtrimet online apo ai që njihet në gjuhën financiare si phishing – një mënyrë e vjedhjes së identitetit që kryhet përmes dhënies vullnetare, por të pa informuar të të dhënave personale, si p.sh. numrat dhe fjalëkalimet e llogarive bankare, të cilat mund të përdoren më pas nga keqbërës për qëllime vjedhjeje.
Nga ana e saj, ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu, u shpreh se gjatë viteve të fundit edukimi financiar është përfshirë me kurrikula deri në klasën e 12-të.
“Në të gjitha ato kurrikula që kemi, një vend të posaçëm zë edukimi i fëmijëve për sipërmarrjen, ndërsa kemi hartuar module që u japin informacione nxënësve. Në fund të vitit të kaluar Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka miratuar një mldul të ri për zhvillimin e karrierës në shkolla”.
Duke bashkëpunuar me partnerë si Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Shoqata Shqiptare e Bankave, Banka Botërore etj, synohet të zhvillohen aktivitete dhe programe të përbashkëta në të gjithë vendin për të rritur kulturën financiare.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.