Mercedes-Benz largohet nga Rusia – Aksionet do i shiten investitorëve vendas
Mercedes-Benz konfirmoi se do të tërhiqet nga tregu rus dhe do t’i shesë aksionet në filialet e tij të shërbimeve industriale dhe financiare një investitori vendas, duke u bërë prodhuesi më i fundit i makinave që largohet nga vendi.
Nissan i Japonisë, këtë muaj pësoi një humbje prej 687 milionë dollarësh duke ia dorëzuar biznesin e tij në Rusi një enti shtetëror për një euro, duke pasqyruar një lëvizje të mëparshme nga Renault që shiti shumicën e aksioneve në Avtovaz të Rusisë për një rubël. Dega e Mercedes-Benz në Rusi tha se aksionet në filialet lokale do t’i shiten zinxhirit të tregtarëve të makinave Avtodom.
Shefi Financiar i Mercedes, Harald Vilhelm, ndërsa prezantoi rezultatet e tremujorit të tretë, tha se transaksioni nuk pritej të shkaktonte ndonjë efekt tjetër domethënës kur bëhet fjalë për përfitimin dhe pozicionin financiar të grupit, përtej atyre të raportuara në tremujorët e mëparshëm.
“Rezultati përfundimtar i transaksionit është subjekt i miratimit të autoritetit dhe zbatimit të kushteve të kontraktuara”, shtoi ai.
Si Nissan ashtu edhe Renault përfshinin klauzola të kthimit për një periudhë gjashtë-vjeçare. E përditshmja ruse ‘Vedomosti’ citoi një burim i cili thoshte se marrëveshja me Mercedes mund të përfshijë një klauzolë të ngjashme.
Një zëdhënës i Mercedes tha se 15% e aksioneve të kompanisë të prodhuesit rus të kamionëve Kamaz nuk do të ndikoheshin nga transaksioni i synuar dhe duhet t’i transferoheshin Daimler Truck këtë vit siç ishte planifikuar.
Mercedes pezulloi prodhimin në Rusi në fillim të marsit.
Shoqata e Bizneseve Europiane (AEB) tha se 9.558 automjete Mercedes u shitën në Rusi nga janari në shtator, 72.8% më pak se një vit më parë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.