Nafta zgjeron fitimet, ngjitet pranë 89 dollarë – BE pritet të vendosë embargo ndaj naftës ruse, G7 tavan mbi çmimet
Nafta po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, pasi të dhënat e industrisë në SHBA treguan se rezervat e naftës ranë me një hap më të shpejtë se parashikimet e tregjeve, gjatë javës së kaluar. Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë.
Sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat e naftës bruto ranë me 4.5 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 18 nëntor, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 1.1 milionë fuçi. Gjithashtu, çmimet po mbështeten edhe nga embargoja e BE ndaj naftës ruse, duke filluar nga 5 dhjetori, ndërsa vendet e G7-ës do të vendosin një tavan për çmimet e naftës së Rusisë.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 89 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 82 dollarë për fuçi. Të dyja kontratat u rritën me rreth 1% në sesionin e kaluar, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Iraku dhe Algjeria përforcuan komentet e Arabisë Saudite se nuk po konsiderojnë rritjen e prodhimit duke filluar nga 4 dhjetori.
Edhe paqartësitë për mënyrën se si Rusia do t’i përgjigjet vendimit të G7-ës për të vendosur një tavan mbi çmimet ka mbështetur tregun.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.