Ndërtimi i tij kushtoi 700 milionë dollarë – Hoteli misterioz në Korenë e Veriut nuk është “shkelur” nga askush
Një hotel i ndërtuar në vitet 1980, në të cilin janë investuar 700 milionë euro, nuk ka pritur asnjëherë mysafirë dhe për këtë ka marrë pseudonimin jo aq të dëshirueshëm “hoteli i mallkuar”.
Është hoteli Ryugyong në Pyongyang, Kore e Veriut dhe ndërtimi i tij filloi në vitin 1987 me plane madhështore për t’u hapur për vizitorët dy vjet më vonë. Hapja e hotelit u caktua që të përkonte me Festivalin Botëror të Rinisë dhe Studentëve të vitit 1989, me projektuesit që synonin të thyenin rekordin për hotelin më të lartë në botë, një titull i mbajtur nga Koreja e Jugut në atë kohë.
Hoteli “Ryugyong” është projektuar në një formë të pazakontë piramidale dhe i kalon 304 metra lartësi me 105 kate, dhe është projektuar të ketë deri në 3000 dhoma dhe pesë restorante.
Megjithatë, përkundër faktit se organizatorët kanë investuar rreth 700 milionë euro në projekt, progresi në ndërtimin e objektit ka qenë i ngadaltë prej vitesh. Ai arriti lartësinë e planifikuar në vitin 1992, por me Korenë e Veriut që ra në një krizë ekonomike dhe ndërtimi u ndal.
Për 16 vitet e ardhshme, hoteli Ryugyong qëndroi bosh, me pamjen e tij të zhveshur prej betoni që ngrihej mbi ndërtesat përreth. Në atë kohë, ndërtesa mori nofkën “hoteli i mallkuar”. Pas një pushimi të gjatë hoteli “Ryugyong” u mbulua me metal dhe xham, që kushtoi gati 170 milionë euro.
Në fund të vitit 2012, grupi gjerman i hoteleve Kempinski njoftoi se do të hapte pjesërisht “Ryugyong” nën menaxhimin e tij vitin e ardhshëm. Megjithatë, vetëm disa muaj më vonë, kompania u tërhoq. Puna e mëtejshme në hotel u zhvillua në vitin 2018, kur ai u pajis me drita LED në një përpjekje për ta bërë atë pak më të këndshëm për shikuesit, si dhe një tabelë që shkruante thjesht: “Hotel Ryugyong”. Megjithatë, ai nuk është ende i hapur për rezervime.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.