Ngec ekonomia e Italisë – Por inflacioni në vend ngadalësohet ndjeshëm
Pavarësisht se ekonomia konsiderohet në ngecje, inflacioni në Itali konsiderohet se është ngadalësuar ndjeshëm. Vendi po has vështirësi në përmbushjen e kushteve të politikave të vendosura nga Komisioni Europian për transferimin e miliarda eurove të fondeve të rimëkëmbjes nga pandemia e COVID-19
Ekonomia e Italisë ‘ngeci’ në tremujorin e tretë nga tre muajt e mëparshëm, sipas të dhënave paraprake. Një lexim më i dobët ky se sa pritej pas një tkurrjeje prej 0.4% në tremujorin e dytë. Nga viti në vit, produkti i brendshëm bruto në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës ishte gjithashtu i sheshtë, sipas raportimeve të byrosë kombëtare e statistikave ISTAT.
Të dhënat treguan se në periudhën prill-shtator Italia shmangu për shumë pak të ashtuquajturin recesion teknik, i përcaktuar nga ekonomistët si dy tremujorë radhazi të rënies së PBB-së. Duke parë përpara, perspektiva mbetet e turbullt nga rritjet e normave të interesit të Bankës Qendrore Europiane që synojnë frenimin e inflacionit dhe tensioneve gjeopolitike të lidhura me konfliktet në Ukrainë dhe së fundmi në Lindjen e Mesme.
Qeveria e kryeministres Giorgia Melonit gjithashtu po has vështirësi në përmbushjen e kushteve të politikave të vendosura nga Komisioni Europian për transferimin e miliarda eurove të fondeve të rimëkëmbjes nga pandemia e COVID-19 dhe është ende prapa planit në investimin e shumave që ka marrë tashmë.
Por inflacioni italian u ngadalësua ndjeshëm në tetor, theksoi ISTAT në një raport të veçantë. Indeksi i çmimeve të konsumit –HICP në vend u rrit 1.9% nga viti në vit pas një norme prej 5.6% në shtator për të shënuar leximin e tij më të ulët që nga korriku 2021.
Inflacioni bazë, duke përjashtuar sektorët e paqëndrueshëm të ushqimeve të freskëta dhe të energjisë, ishte shumë më i lartë në 4.5% në tetor, por gjithsesi u lehtësua krahasuar me 4.9% një muaj më parë. Thesari muajin e kaluar uli parashikimin e tij për rritjen e PBB-së për vitin 2023 në 0.8% nga 1.0% si dhe parashikimin e vitit të ardhshëm në 1.2% nga 1.5%.
ISTAT tha se leximi i sheshtë i PBB-së në tremujorin e tretë krahasuar me tre muajt e mëparshëm ishte rezultat i tkurrjes së kërkesës së brendshme, të kompensuar nga eksportet neto pozitive. Ai nuk dha asnjë ndarje numerike të komponentëve me vlerësimin e tij paraprak, por tha se industria ishte zgjeruar, shërbimet kishin ngecur dhe bujqësia kishte rënë.
E ashtuquajtura ‘rritje e fituar’ në fund të tremujorit të tretë ishte 0.7%, që do të thotë se nëse nuk ka rritje tremujore midis tetorit dhe dhjetorit, gjatë gjithë vitit PBB- ja do të rritet me 0.7% krahasuar me 2022 – shin.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.