Nuk ka ulje taksash në Britani – Ministri i Financave, Hunt përjashton mundësinë
Ministri i Financave i Mbretërisë së Bashkuar, Jeremy Hunt përjashtoi mundësinë e uljes së taksave në afat të shkurtër, duke argumentuar se një vendim i tillë në këtë moment do të ishte inflacionist.
Ai theksoi se për momentin vëmendja është përqendruar tek ulja e inflacionit. Në fjalën e mbajtur gjatë Konferencës së Partisë Konservatore në Mançester, ai shtoi se plani po funksionon dhe aktualisht duhet vepruar siç bëri Margaret Thatcher vite më parë.
Hunt ka argumentuar më parë se uljet e taksave janë praktikisht të pamundura dhe mund të përballohen vetëm nëse qeveria merr disa vendime të vështira.
Deklarata e tij është pjesë e një vazhdimësie të ‘status quo’-së pasi Hunt u zotua vitin e kaluar për të stabilizuar vendin pas minibuxhetit kataklizmik të kryeministres së atëhershme, Liz Truss.
Qëndrimi i tij është konfirmuar pavarësisht zhurmës nga brenda Partisë Konservatore në pushtet për të ulur taksat përpara zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm, kur konservatorët do të përballen me një betejë të ashpër kundër Partisë Laburiste në opozitë.
Vetë Truss paraqiti kërkesa të tilla në prag të konferencës. Ajo bëri thirrje që të ulen taksat e korporatave në 19% nga 25% që është aktualisht.
Në një përpjekje për të rifokusuar diskutimet, Hunt zbuloi një sërë politikash duke përfshirë një premtim për të rritur pagën minimale në 11 paund në orë, nga 10.42 paund që është aktualisht. Lëvizja plotëson një angazhim të manifestit të vitit 2019 për të rritur pagën minimale. Sipas tij, kjo rritje do të prekte 2 milionë punonjës. Hunt zbuloi gjithashtu plane për kufizime më të ashpra të përfitimeve në një përpjekje për të kursyer në faturën e mirëqenies së qeverisë. Lëvizja pritet të jetë pjesë e planeve më të gjera që do të shpallen muajin e ardhshëm për të futur më shumë njerëz në punë.
Për më tepër, ai tha se do të ngrijë zgjerimin e shërbimit civil dhe do të zbatojë një plan për të reduktuar numrin e stafit në nivelet para pandemisë.
Sunak ka vendosur përgjysmimin e inflacionit në rreth 5% si një nga prioritetet e tij kryesore për vitin 2023. Që nga gushti, inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar ra në 6.7%, pak më i ulët se 7% që kishin parashikuar ekonomistët, duke sinjalizuar se ritmi i mprehtë i rritjes së çmimeve mund të jetë duke u lehtësuar.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.