“Perëndimi” i Gazprom në Europë – Sot shet më shumë gaz në Kinë dhe nuk është një fitore
Për Gazprom duket se kanë përfunduar kohët e dominimit në tregun e energjisë. Kompania ruse po përjeton një periudhë krize në atdhe dhe në Europë, në vendet që kanë qenë pika e saj e fortë për të paktën 10 vjet. Lajmet më të këqija vijnë nga Brukseli. Komisioni Europian ka nisur hetimet për të vendosur nëse grupi ka shkelur rregullat e konkurrencës. Ndërkohë, në Moskë janë të vetëdijshëm që pozicioni i Gazprom është delikat dhe për këtë arsye po përgatisin mbrojtjen.
Pak ditë më parë, një djalë i qetë dhe i ri si Arkady Dvorkovich, zëvendëskryeministër dhe ekspert i ekonomisë, më reformisti nga qeveritarët, u tha gazetarëve se nëse ka probleme në këtë aspekt, do të thotë se të gjithë do të kenë probleme. Gazprom kontrollon një pjesë të konsiderueshme të gazit që qarkullon në Europë dhe synon të rritet më tej në vitet e ardhshme. Javën e kaluar të dërguarit e Kremlinit mbyllën marrëveshjet për ndërtimin e Rrjedhës së Jugut, tubacionit të gazit 2.430 kilometra i gjatë që do të furnizojë Europën përmes Detit të Zi dhe Ballkanit: është normale që hetimi i nisur nga BE të perceptohet si një akt jashtëzakonisht armiqësor nga qeveria e Moskës.
Por ky nuk është problemi i vetëm i Gazprom. Rusët janë detyruar të bëjnë një sërë lëvizjesh të paprecedenta në javët e fundit: në fillim të nëntorit ata u ulën me klientët e tyre polakë dhe iu desh të ulnin çmimin e furnizimeve me 15%, gjë që pakkush besonte se do të ndodhte vërtet. Qeveria e Varshavës po distancohet me shpejtësi nga furnizimet ruse, ka mbyllur marrëveshje të rëndësishme me disa kompani gjermane dhe i ka dhënë dritën jeshile shfrytëzimit të depozitave argjilore të vendosura në veri të vendit për të reduktuar varësinë nga Rusia. Gazprom tha se zbritja është ‘një koncesion i arsyeshëm’, por ndërprerja do të ketë një ndikim të rëndësishëm në pasqyrimet e ardhshme financiare të grupit dhe në negociatat me partnerët e tjerë europianë. Rezultatet mund të shihen tashmë: rusët synojnë marrëveshje të ngurta, kontrata të gjata me çmim fiks për të mbuluar kostot e infrastrukturës. Konkurentët europianë po ndryshojnë strategjinë e tyre për të rritur fitimet, po propozojnë marrëveshje afatshkurtra, janë në gjendje të balancojnë ofertën sipas nevojave të momentit, mund të përballojnë zgjidhje elastike dhe më pak të kushtueshme. Falë kësaj taktike, norvegjezët e ‘Statoil’ po fitojnë terren në një treg të favorshëm si ai gjerman. Analistët e Reuters nuk kanë shumë dyshime: Gazprom duhet të gjejë një zgjidhje, ose do të ketë probleme.
Përveç aspektit ligjor është edhe ai teknik. Deri më tani, Gazprom ka pasur monopolin e eksporteve në Europë, është një licencë madhështore që i ka lejuar grupit të vendosë rreth 150 miliardë metra kub gaz në Perëndim çdo vit. Megjithatë, duket se kjo periudhë është e destinuar të përfundojë.
Për një kampion që bie, ka një që rritet me shpejtësi. Kështu, kompania Rosneft po merr një rëndësi të madhe në bilancin e naftës ruse: në krye të kompanisë është Igor Sechin, i cili ka qenë prej kohësh në krah të Putinit si ministër i Energjisë. Vitin e kaluar u detyrua të zgjidhte mes postit të ministrit dhe atij të naftëtarit, zgjodhi të dytin dhe pasuria e Rosneft u rrit me shpejtësi. Marrëveshja miliarda dollarëshe që nënshkroi muajin e kaluar me BP britanike, është një pakt që ka lejuar kompaninë e tij të bëhet më e madhja e naftës në planet. 10.3 milionë fuçi prodhohen në fushat ruse çdo ditë, niveli më i lartë i arritur që nga fundi i Bashkimit Sovjetik dhe 4 milionë nga ato fuçi kanë markën Rosneft.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.