Borxhi publik, niveli më i ulët që nga viti 2012 – Përmirësim i ndjeshëm i huasë qeveritare, sidomos në gjysmën e dytë të 2023
Borxhi publik ka rënë nën nivelin 60% të Produktit të Brendshëm Bruto për herë të parë që nga viti 2012, kur Qeveria e atëhershme ndërhyri në ligj për të hequr këtë kufi. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, niveli i borxhit publik ka rënë në fund të 2023 nën 60% të PBB, vlera më e ulët që prej vitit 2008. Stoku i borxhit publik ka zbaritur në fund të vitit të shkuar në nivelin 59.22% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Ulja rekord i detyrohet në masë të madhe rritjes së ndjeshme të Produktit të Brendshëm Bruto për shkak të prurjeve të larta buxhetore, por edhe rënies së borxhit në terma nominale, veccanërisht në peiudhën e fundit të vitit që sapo lamë pas. Në fund të vitit 2023, stoku i borxhit publik rezulton 1,368 trilionë lekë, 0.6% më pak se në fund të vitit 2022 kur stoku ishte 1,378 trilionë lekë. Ndërkaq, Produkti i Brendshëm Bruto raportohet në fund të vitit 2023 në vlerën 2.3 miliardë lekë, nga 2.1 miliardë një vit më parë.
Ka qenë gjysma e dytë të vitit 2023 periudha në të cilën parametrat e borxhit kanë njohur përmirësim të ndjeshëm, pas një rritje të ndjeshme në gjashtëmujorin e parë kryesisht për shkak të eurobondit prej 600 milionë eurosh të metuar nga qeveria në muajin qershor. Nga 1.376 trilionë lekë në tremujorin e parë të vitit, stoku i borxhit u rrit në 1.410 trilionë në fund të tremujorit të dytë, duke nisur që prej atij momenti një rënie graduale prej përkatësisht 1.393 trilionë dhe 1.368 trilionë në dy tremujorët pasues.
Sa për llojin e borxhit, i marrë brenda apo jashtë kufijve, ka qenë ky i fundit që ka shënuar performancën më pozitive. Borxhi i jashtëm në raport me Produktin e Brendshëm Bruto ka rënë thuajse me 4 pikë përqindje në harkun kohor të një viti, duke e mbyllur vitin 2023 në nivelin 26.86% nga 30.20% një vit më parë. Ndërkaq, borxhi i brendshëm është ulur me afërisht 2 pikë përqindjeje, nga 34.26% në 2022, në 32.36% në fund të vitit të shkuar.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.