Si u shpërndanë paratë për punë publike në 2023-shin? – U investuan mbi 1.1 miliardë euro, 54% u realizuan në fundvit
Buxheti i shtetit ka shpenzuar për punë publike në vitin 2023 118.8 miliardë lekë në total apo rreth 1.15 miliardë euro. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të analizuara nga SCAN TV, pavarësisht këtij niveli shpenzimesh publike, buxheti total i planifikuar me aktin e fundit normativ nuk është realizuar tërësisht, duke bërë që vetëm 88 % e fondit të shpërndahet. E thënë ndryshe në fund të 2023 janë 16.3 miliardë lekë apo 157 milionë euro të mbetura “stok” në arkën e shtetit.
Por si janë shpërndarë paratë muaj pas muaji? Ajo që vihet re nga të dhënat fiskale është se “motorët” janë ndezur në muajin Mars dhe më pas mesatarja mujore e shpenzimeve ka qenë afro 6 miliardë lekë .
Ndërsa diferenca është bërë në muajin Nëntor dhe Dhjetor ku përmes ndryshimit të buxhetit me akt normativ dhe rialokimeve të fondeve duke i përqendruar tek ato projekte me performancë të lartë, shpenzimet për investime janë rritur ndjeshëm, duke u regjistruar përkatësisht në 18.9 miliardë lekë në Nëntor dhe 45.3 miliardë lekë në Dhjetor me qëllim që të kapej ritmi i avashtë përgjatë vitit. Pra e thënë ndryshe, 54 për qind e investimeve të planifikuara përgjatrë vitit janë realizuar në muajt Nëntor-dhjetor.
Shkak për këtë luhatshmëri në shpenzimet për punë publike kanë qenë zgjedhjet vendore, por edhe ecuria e dobët në disa projekte investimesh, sidomos me financim të huaj, të cilat për shkak të vonesave kryesisht proceduriale nuk kanë arritur disbursimet e planifikuara.
Për këtë arsye në muajin Tetor, qeveria përmes një akti normativ ndryshoi buxhetin duke synuar përshpejtimin e procesit të rindërtimit përmes rialokimit të një fondi prej 12 miliardë lekësh, me qëllim plotësimin e nevojave për financimin të projekteve në vazhdim, që zbatohen nga bashkitë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Po ashtu u alokuan fonde në investimet me financim të brendshëm me qëllim akomodimin e detyrimeve për projektet në vazhdim të rrugëve, ujësjellësve dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.