Përshkallëzimi i situatës mes Iranit dhe Izraelit – Pritet një super rritje e çmimeve të naftës
Çmimet e naftës mund të rriten në 100 dollarë për fuçi dhe më shumë, pasi Irani ndërmori një sulm ajror kundër Izraelit duke rindezur frikën për një luftë rajonale. Irani është streha e burimeve të mëdha të naftës dhe prodhuesi i tretë më i madh i naftës mes vendeve të OPEC.
Çdo ndërprerje në kapacitetin e saj për të furnizuar tregjet globale mund të rrisë çmimet e naftës, sipas analistëve. Tregjet gjithashtu do të monitorojnë nga afër zhvillimet ose mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe që ndodhet midis Iranit dhe Omanit dhe përmes së cilës rrjedh çdo ditë një e pesta e prodhimit global të naftës.
Ekspertët theksojnë se çdo sulm ndaj objekteve të prodhimit ose eksportit të naftës në Iran do të çonte çmimin e naftës së papërpunuar Brent në 100 dollarë dhe mbyllja e ngushticës së Hormuzit do të çonte në çmime nga 120 deri në 130 dollarë.
Irani lëshoi mbi 300 dronë dhe raketa mbi Izraelin mbrëmjen e së shtunës, duke shënuar rastin e parë që Irani nisi një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj shtetit hebre. Pjesa më e madhe e dronëve dhe raketave iraniane u kapën, sipas zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
Investimi i pamjaftueshëm e bën furnizimin më të brishtë dhe rrit mundësinë e një rritjeje super mbi 100 dollarë nëse furnizimi ndërpritet. Sulmi i Iranit ishte në hakmarrje ndaj një sulmi izraelit në konsullatën e tij në Damask, Siri në fillim të këtij muaji. Irani akuzoi Izraelin për bombardimin e një pjese të kompleksit të ambasadës së tij më 1 prill, duke vrarë shtatë ushtarakë iranianë, përfshirë tre komandantë të lartë.
Çmimet e naftës u tregtuan lehtësisht më të ulëta në tregjet e para të mëngjesit në Azi. Standardi global Brent ra me 0.31% në 90.17 dollarë për fuçi të hënën, ndërsa kontratat e së ardhmes në SHBA West Texas Intermediate ranë 0.44% në 85.28 dollarë për fuçi.
Si pasojë e disa viteve investim të pamjaftueshëm në kërkimin dhe zhvillimin e naftës, zhvillimi i fundit gjeopolitik i bën furnizimet globale të papërpunuara më të cenueshme, shtojnë analistët.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.