Rekord pasagjerësh në aeroportin e Dubait – Gjatë vitit të kaluar regjistroi 86.9 milionë vizitorë
Numri i pasagjerëve që ushëtuan përmes aeroportit ndërkombëtar të Dubait, më i ngarkuari në botë për udhëtime ndërkombëtare, u rrit vitin e kaluar përtej totalit të tij për vitin 2019, pak para se pandemia e koronavirusit të ndalonte aviacionin global.
Shifrat për vitin 2023 treguan “rikthimin” e aeroportit të njohur si DXB nga pandemia. Numri i pasagjerëve që kalojnë nëpër terminalet e tij me ajër të kondicionuar, ka shërbyer prej kohësh si një barometër për industrinë e aviacionit në mbarë botën dhe ‘shëndetin’ më të gjerë ekonomik të këtij qyteti.
Në përgjithësi në vitin 2023, aeroporti kishte 86.9 milionë pasagjerë. Trafiku vjetor i aeroportit për vitin 2019 ishte 86.3 milionë pasagjerë. Aeroporti kishte 89.1 milion pasagjerë në vitin 2018 – viti i tij më i ngarkuar ndonjëherë para pandemisë, ndërsa 66 milion pasagjerë kaluan në 2022-shin.
Trafiku i pasagjerëve kryesisht është drejtuar nga destinacionet standarde të udhëtimit të aeroportit – India, Arabia Saudite, Mbretëria e Bashkuar dhe Pakistani. Rusia ka qenë gjithashtu një treg i madh pasi Dubai mbetet një nga vendet e pakta ende të hapura për rusët gjatë luftës së Moskës kundër Ukrainës.
Dubai ishte ndër qytetet e para që u rihap për turistët në pandemi. Kjo ndihmoi në rritjen e industrisë së turizmit të qytetit-shtet, pasi atraksione si Burj Khalifa, ndërtesa më e lartë në botë dhe hoteli luksoz Burj Al-Arab, tërhoqën si vizitorët ashtu edhe pasagjerët transit nga sallat e aeroportit.
Më herët në shkurt, Dubai shpalli shifrat e tij më të mira të turizmit, duke pritur 17.15 milionë vizitorë ndërkombëtarë gjatë natës në vitin 2023. Mesatarja e zënies së hoteleve ishte rreth 77%.
Aeroporti ka vlerësuar se do t’u shërbejë 88.8 milionë pasagjerëve këtë vit – afër nivelit të tij të të gjitha kohërave. Por kjo do të ushtrojë presion në rritje mbi aeroportin, i cili kishte numrin më të lartë të ngritjeve dhe uljeve të avionëve në një vit të vetëm – 416.405. Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait lidhet me 262 destinacione në 104 vende në mbarë botën nëpërmjet pak më shumë se 100 transportuesve ndërkombëtarë.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.