Sa u rrit çmimi i mishit, vezëve dhe qumështit? – Rënia e prodhimit ka rënduar xhepat e konsumatorëve
Blegtoria vijon të mos jetë në ditë të mira, pasi numri i gjedhëve, të imtave dhe shpendëve ka pësuar rënie progresive nga viti në vit. Konkretisht, numri i lopëve regjistrohet në 298 mijë në vitin 2022, numri i të imtave 1 milionë e 372 mijë, numri i dhive 722 mijë dhe po ashtu rënie të konsiderueshme ka pësuar dhe numri i shpendëve. Shifrat janë në nivelin më të ulët të viteve të fundit. Si rrjedhim, rënie ka pësuar gjatë vitit që lamë pas, prodhimi i qumështit, vezëve dhe mishit peshë e gjallë, duke bërë që konsumatorët shqiptarë të kenë më pak produkt vendas në dispozicion.
Sipas INSTAT, në vitin 2022 janë prodhuar 970 mijë ton qumësht nga 1 milionë tonë ne vitin 2021, 776 milionë kokrra vezë nga 899 milion dhe 140 mijë ton mish peshë e gjallë nga 148 mijë që u prodhua në vitin 2021. Por si ka ndikuar kjo ecuri në xhepat e konsumatorëve shqiptarë? Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT të pasqyruara në Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve Bujqësore për vitin që lamë pas, rezulton se indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale pësoi rritje me 22,1 %, krahasuar me një vit më parë. Konkretisht qumështi i lopës ka pësuar rritjen më të madhe me 30.1 për qind, ndërsa kategoria qumësht ka njohur rritje 28.9 për qind.
Produktet e tjera blegtorale, janë rritur me 18 për qind krahasuar me një vit më parë. Po ashtu rritje me 25.8 për qind kanë pësuar çmimet e vezëve, për shkak se gripi i shpendëve shkaktoi dëme të mëdha në stabilimente të rritjes së tyre në të gjithë vendin. Mishi peshë e gjallë është rritur me 15.9 për qind, ndërsa të imtat janë rritur me 21.9 për qind si dhe mjalti me 10.6 për qind. Ndërsa nga ana tjetër, prodhimeve bujqësore janë rritur me 11.1 për qind, ku kapërcim të konsiderueshëm kanë njohur edhe drithërat me 37 për qind, për shkak të efekteve që pati në tregjet ndërkombëtare lufta Rusi-Ukrainë.
Prodhimet blegtorale
2021 2022
Qumësht 1. 013 mijë ton 970 mijë ton
Vezë 899 milionë kokrra 776 milionë/kokrra
Mish 148 mijë ton 140 mijë ton
Indeksi i rritjes së çmimeve në vitin 2022
Qumështi i lopës 30.1 %
Qumësht 28.9 %
Produktet e tjera blegtorale 18 %
Vezët 25.8%
Mishi peshë e gjallë 15.9 %
Të imtat 21.9 %
Mjalti 10.6 %
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.