Shqiptarët u “dyndën” drejt vajit vendas të ullirit – Në 2023-shin importi preku fundin. Në janar ndryshoi situata
Vaji i ullirit “Made in Albania” po bëhet gjithnjë edhe më i preferuar për konsumatorët shqiptarë në raport me markat e huaja. Rritja e prodhimit të ullirit në vitin 2022 mbingopi tregun dhe çmimi i vajit të binte në mesatarisht 500 lekë për litër. Nisur nga kjo situatë, konsumatorët shqiptarë jo vetëm u nxitën të rrisnin konsumin e këtij produkti, duke zëvendësuar vajin e lulediellit, por edhe të orientoheshin drejt prodhimit vendas.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të siguruara nga SCAN TV, tregojnë se importi i vajit të ullirit nga jashtë përgjatë vitit 2023 ka pësuar një rënie drastike krahasuar me krahasuar me vitin 2022.
Konkretisht në 2023-shin janë importuar vetëm 39.6 ton vaj ulliri nga jashtë, nga 263.8 ton të importuara në vitin paraardhës, duke regjistruar një rënie drastike prej 85 për qind. E thënë ndryshe, importi i këtij produkti ka rënë me 7 herë.
Kërkesa më e lartë për vajin e ullirit ka qenë kryesisht gjatë sezonit veror, nga strukturat e shërbimeve dhe akomodimit për shkak të bumit turistik, por edhe nga emigrantët që kanë përfituar për të bërë blerjet e nevojshme. Ndërsa një pjesë e mirë e sasisë së prodhuar u eksportua drejt Italisë, pas një marrëveshje të nënshkruar nga Ministria e Bujqësisë me autoritetet italiane, e cila i hapi rrugë shitjes së këtij produkti jashtë kufijve.
Por gjatë 2023-shit, duket se pema e ullirit nuk është në nivelin e një viti më parë sa i takon prodhimit, megjithatë të dhënat nga fermerët, tregtojnë se ka sasi të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën vendase.
Të dhënat e doganave, tregojnë sa i takon muajit Janar 2024, janë importuar 3.8 ton vaj ulliri, vihet re një rënie me afro 90 për qind krahasuar me janarin e vitit 2022, ndërsa tendenca është në rritje të moderuar krahasuar me janarin e 2023, ku ndikim duket të ketë çmimi. Aktualisht një litër vaj po tregtohet me një çmim mesatar prej 800 lekësh/ litër. Në vitin 2022 prodhimi arriti në 152.6 mijë ton, ndërsa për 2023-shin ende nuk janë gjeneruar të dhënat zyrtare.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.