Tenderët, rregulla të reja nga 20 marsi – Hyn në fuqi ligji i ri, ndryshimet kryesore për operatorët ekonomikë dhe institucionet
Nga data 20 mars tenderët do të zhvillohen në bazë të rregullave të reja, që parashikojnë ndryshimet ligjore të miratuara në fundmi. Agjencia e Porkurimit Publik ka njoftuar të gjithë autoritetet kontraktore, por edhe operatorët ekonomikë mbi risitë që sjell ligji, duke kërkuar zbatimin e tyre.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me disa kushte shtesë mbi përjashtimin e operatorëve në rast të mos plotësimit të tyre. Më konkretisht, operatorët ekonomikë do të skualifikohen nga gara nëse nuk kanë të regjistruar pronarët përfitues në regjistrin e pronarëve përfitues.
Po ashtu, ata përjashtohen nga gara kur nuk përmbushin detyrimet që rrjedhin nga legjislacionin për pagat apo kur personi i dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë për shkelje të rëndë profesionale është anëtar i një organi administrimi, drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak, i operatorit ekonomik, ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda tij.
Paralelisht, sipas ligjit të ri paraqitja e ankesave dhe e argumentave nga operatorët ekonomikë do të bëhet në Sistemin Elektronik të Ankesave. Ligji i ri rishikon detyrimet e autoriteteve ose enteve kontraktore ndaj APP, për raportimin lidhur me zbatimin e kontratave, duke hequr detyrimin për raportim mbi hartimin e planit të zbatimit të kontratës, si dhe raportimet e ndërmjetme për ecurinë e zbatimit të kontratës.
Me ndryshimet ligjore parashikohet një raportim i vetëm në përfundim të saj. Nga ana tjetër është bërë rishikimi i nenit të Konfliktit të Interesave, duke parashikuar edhe rastin e marrjes së masave në rast të evidentimit të tij gjatë zbatimit të kontratës. Sipas APP-së, ëëllimi i këtij ligji është të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Shqipëri, duke synuar përafrimin e mëtejshëm me Direktivat e BE.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.