Kreditë me probleme, rritje të lehtë në janar – U regjistruan në 4,88%, pasi e mbyllën vitin 2023 në nivelin më të ulët prej 4.74%
Fillimi i vitit regjistroi një rritje të lehtë të kredive me probleme në sistemin bankar, por që gjithsesi janë në nivelin e tyre mjaft të ulët. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në janar huatë me probleme ndaj totalit u rritën në 4,88%, ndërsa në dhjetor 2023 ishin 4,74%, që përbën edhe nivelin më të ulët historik.
Gjatë vitit të kaluar huatë me probleme u luhatën në intervalin mbi 5%, duke arritur një maksimum prej 5,3% në muajin gusht. Por, cilësia e portofolit të kredive është përmirësuar më tej gjatë fundit të vitit, duke rrëzuar pritshmëritë fillestare sipas të cilave inflacioni dhe rritja në nivele rekord e normës bazë të interesit në 3,25% do shtonte kreditë me probleme.
Ndërkaq, të njëjtën trajektore rritëse gjatë muajit të parë të vitit 2024 ka ndjekur edhe treguesi i huave me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit rregullator, që u regjistrua në 5,77% të totalit, nga 5.51% në dhjetor.
Po ashtu, edhe huatë me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit aksioner ishin 5,43% në janar, kundrejt 5.28%, që regjistruan në muajin e fundit të vitit të kaluar. Gjysma e dytë e vitit 2023 shënoi rritje të kujdesit të bankave në miratimin e kredive, por edhe ndryshim të sjelljes së biznesit e të individëve, të cilët u orientuan fort nga kreditimi në lekë, kundrejt huave në monedhën e përbashkët evropiane.
Huatë me probleme nisën një trajektore të rrezikshme rritje pas krizës financiare globale që goditi Botën dhe Europën në veçanti, për të kulmuar në 25% të totalit të kredive në vitin 2015 në vendin tonë, duke u kthyer në një kërcënim për sektorin bankar dhe ekonominë në tërësi, si dhe duke e vendosur Shqipërinë të parën në rajon në këtë drejtim.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.