Tregjet europiane zgjerojnë fitimet – Sony, fitime rekord për shkak të shitjeve rekord të Playstation 5
Bursat europiane po qëndrojnë në rritje në sesionin e fundit të javës dhe të muajit, për shkak të fitimeve të korporatave, që në shumicën e rasteve kanë rezultuar mbi parashikimet e analistëve.
Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.3%, ndërsa sektori i ndërtimit realizon humbjet më të mëdha. Pavarësisht panikut që shkaktoi First Republic Bank, shumica e bankave europiane kanë pasur një performancë të mirë gjatë fillimit të këtij viti.
Deutsche Bank dhe Barclays publikuan fitime mbi parashikimet e analistëve për tremujorin e parë të këtij viti. Në anën tjetër, Mercedes-Benz raportoi një rënie të lehtë të të ardhurave, por që rezultuan mbi parashikimet e analistëve. Ndërsa kompania japoneze, Sony raportoi fitime vjetore rekord për shkak të shitjes së mikroçipeve dhe të Playstation 5.
Ndër zhvillimet e tjera, ekonomia franceze u rrit me 0.2% në tremujorin e parë të këtij viti, pas rënies me 0.4% në tremujorin e fundit të vitit 2022. Në vonë gjatë ditës së sotme, Eurostat do të publikojë edhe të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto për të gjithë Eurozonën.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.