Stabilizohet tregu i monedhave – Fokusi rikthehet te shtrëngimi i politikave monetare nga FED
Dollari amerikan ka gjetur një mbështetje të lehtë në sesionin e sotëm, pasi vëmendja e investitorëve është rikthyer sërish te shtrëngimi i politikave monetare nga Rezerva Federale. Gjatë sesionit aziatik, sektori bankar iu rikthye rritjes, ndërsa edhe interesat e bonove dhe obligacioneve u stabilizuan.
Analistët vlerësojnë tashmë se ka 80% mundësi që Rezerva Federale të rrisë me 25 pikë bazë, normën e interesit në takimin e javës së ardhshme. Referuar të dhënave në SHBA, rezultoi se indeksi i çmimeve konsumatore u rrit me 0.4% me bazë mujore dhe me 6% me bazë vjetore, gjatë shkurtit, në ngadalësim krahasuar me të dhënat e janarit dhe në linjë me parashikimet e analistëve.
Me qetësimin e tregut të aksioneve dhe të interesave të bonove, analistët mendojnë se frika që kishte të bënte me kontaminimin e sektorit bankar amerikan, pas kolapsit të Silicon Valley Bank, tashmë është larguar. Megjithatë, euro vijon të këmbehet në nivele të larta, në rreth 1.073 dollarë.
Në tregun e kriptomonedhave, vihet re një tendencë në rritje për të tretin sesion me radhë. Bitcoin po tregtohet në mbi 25 mijë dollarë, ndërsa më herët preku edhe nivelin e 26 mijë dollarëve. Ethereum po tregtohet në rreth 1710 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.