AMA, fushatë ndërgjegjësimi për gjuhën shqipe – Shkurtaj: Pastërtia e gjuhës, çështje kombëtare. Mëniku: Ta mbrojmë nga fjalët e huaja
Fjalët e huaja apo gabimet drejtshkrimore po përdoren gjithmonë e më shpesh në median shqiptare. Ndaj, Autoriteti i Mediave Audiovizive do të nisë një fushatë ndërgjegjësimi për median, që do të ketë në qendër pastërtinë e gjuhës shqipe dhe frenimin e përdorimit të fjalëve të huaja në media dhe përditshmëri.
“Unë besoj se ndërgjegjësimi është më i rënëisshëm sesa masat ndëshkimore. Ka ca fjalë në anglisht, që është e panevojshme të përdoren në gjuhën shqipe pasi gjegjëset janë me shumicë”, – tha Armela Krasniqi, drejtore e Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Në takimin “Fol Shqip – Të mbrojmë dhe të duam gjuhën shqipe”, gjuhëtarët dhe pedagogët e cilësuan pastërtinë e gjuhës, çështje kombëtare, ndërsa kërkuan më shumë përgjegjshmëri nga ana e medias, që ka edhe rol edukativ.
“Të bëjmë gjënë më të thjeshtë të mundshme: Të mos ngutemi! Nguti është gjithmonë i pamirë. Një minutë më parë apo një minutë më mbrapa nuk bën gjë për lajmin dhe në luftën për ta dhënë lajmin më i pari”, – tha Akad. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj.
“Në legjislacionin e AMA-s përcaktohet që duhet të jetë gjuha standarde, por karakteristika të ndryshme të llojeve, zhanreve televizive bëjnë që kjo gjë të mos jetë e mundur gjithmonë dhe e kam fjalën këtu për ato që sot janë biseda pafund, biseda në studio për tematika të ndryshme dhe që sot është fokusi i televizionit, pra argëtimi i audiencës”, – tha Linda Mëniku, pedagoge e gjuhës shqipe.
Gjatë takimit u theksua se përdorimi i gjuhës standarde në media është një nga parimet themelore të ligjit “Për mediat audiovizive”.
Ola Mitre /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.