Ari e mbyll javën në rritje me 2% – Mbështetet nga dobësimi i dollarit dhe nga rënia e “yield”-eve
Ari po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm dhe pritet të publikojë fitime javore, për shkak të pritshmërive se Rezerva Federale do të ulë kostot e huamarrjes në vitin 2024. Kontrata “spot” e arit po qëndron në rreth 2,035 dollarë për onz, ndërsa gjatë kësaj jave është rritur me rreth 2%.
Kontrata “futures” po qëndron në rreth 2,055 dollarë për onz. Analistët shprehen se, perspektiva për uljen e interesave është një mbështetje shumë e mirë për arin, pasi yield-et më të ulëta rrisin atraktivitetin për këtë metal.
Rezerva Federale i la të pandryshuara normat e interesit të mërkurën, ndërsa kryetari Jerome Powell tha se shtrëngimi historik i politikës monetare ka të ngjarë të ketë përfunduar, ndërsa diskutimet do të fokusohen se kur do të vijë ulja e parë e interesave. Zyrtarët e bankës qendrore amerikane vlerësojnë një ulje të normës bazë të interesit me 75 pikë bazë, ndërsa inflacioni pritet të ngadalësohet në 2.4% në fund të vitit të ardhshëm.
Tregjet tani po vlerësojnë rreth 75% shanse, për një ulje të normave të interesit në mars. Normat më të ulëta të interesit në SHBA ushtrojnë presion mbi dollarin dhe yield-et e obligacioneve dhe rrisin tërheqjen e investitorëve.
Dollari pritet të realizojë humbje javore, pasi preku nivelin më të ulët në katër muaj të enjten, duke e bërë arin më pak të shtrenjtë për zotëruesit e monedhave të tjera. Ndër metalet e tjera, argjendi po tregtohet në rreth 24.5 dollarë për onz, ndërsa platini po tregtohet në rreth 965 dollarë për onz.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.