Ari fiksohet pranë 2,040 USD – Investitorët presin shpenzimet e konsumit personal në SHBA
Ari po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të rënies së yield-eve të obligacioneve amerikane, ndërsa investitorët po presin disa të dhëna ekonomike në SHBA, më vonë gjatë javës për të pasur më shumë qartësi, në lidhje hapat që do të ndjekë Rezerva Federale. Kontrata “spot” e arit po qëndron në rreth 2,030 dollarë për onz, ndërsa kontrata “futures” po tregtohet në rreth 2,040 dollarë për onz.
Fitimet e arit janë kufizuar nga sinjalet e disa politikëbërësve të Rezervës Federale të cilët mendojnë se rreziku i inflacionit nuk është kapërcyer plotësisht. Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, deklaroi javën e kaluar se shtrëngimi i politikës monetare ka të ngjarë të ketë mbaruar, ndërsa pritet të nisin diskutimet për uljen e kostos së huamarrjes. Tregjet po vlerësojnë aktualisht rreth 70% shanse që ulja e parë e interesave të vijë në mars të vitit 2024.
Investitorët po presin një mori të dhënash ekonomike në SHBA, këtë javë, duke përfshirë raportin e Indeksit të Shpenzimeve të Konsumit personal për nëntorin, masa e preferuar e Rezervës Federale për inflacionin bazë.
Ndër zhvillimet e tjera, Banka e Japonisë e mbajti të pandryshuar politikën monetare ultra-lehtësuese, një vendim që pritej gjerësisht nga investitorët. Politikëbërësit po presin të shohin nëse pagat do të rriten mjaftueshëm për të mbajtur inflacionin në mënyrë të qëndrueshme rreth objektivit prej 2%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.