Ari tregtohet pranë 2,050 USD – Mbështetet nga perspektiva për uljen e interesave në SHBA
Ari po tregtohet i qëndrueshëm edhe në sesionin e sotëm, ndërsa një mbështetje të lehtë po e gjen nga perspektiva për uljen e normave të interesit nga Rezerva Federale vitin e ardhshëm. Gjithashtu, investitorët po presin të dhënat e rishikuara mbi inflacionin në SHBA, që do të publikohen të premten.
Kontrata “spot” e arit po tregtohet në rreth 2,040 dollarë për onz, ndërsa kontrata “futures” po tregtohet në rreth 2,050 dollarë për onz. Javën e kaluar, Rezerva Federale sinjalizoi se cikli i politikës monetare shtrënguese ishte drejt fundit dhe sugjeroi të paktën 3 ulje të interesave, gjatë vitit 2024.
Presidenti i Rezervës Federale të Atlantas, Raphael Bostic tha të martën se nuk ka asnjë urgjencë për të ulur normat e interesit, duke pasur parasysh fuqinë e ekonomisë amerikane. Sot, tregjet po vlerësojnë rreth 75% shanse për një ulje të normës së interesit nga FED në takimin e muajit mars.
Normat e ulëta të interesit në SHBA ushtrojnë presion mbi dollarin dhe yield-et e obligacioneve. Investitorët po presin edhe raportin e Indeksit të Shpenzimeve të Konsumit Personal për nëntorin, që është një masë e preferuar nga Rezerva Federale për të vlerësuar ecurinë e inflacionit, dhe që publikohet të premten.
Sipas analistëve, ecuria e ngadalësimit të inflacionit do të jetë një faktor vendimtar në vendimet e Rezervës Federale për të ulur interesat vitin e ardhshëm. Ndër metalet e tjera, argjendi po tregtohet në rreth 24.3 dollarë për onz, ndërsa platini po tregtohet në rreth 955 dollarë për onz.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.