Bitcoin i afrohet 42,000 USD – Mbizotëron optimizmi për miratimin e ETF-ve në SHBA
Bitcoin i është rikthyer fitimeve gjatë sesionit europian, duke iu arfuar sërish 42,000 dollarëve, niveli më i lartë në 20 muajt e fundit. Tregu vijon të nxitet nga pritshmëritë për uljen e normave të interesit në SHBA dhe nga bastet se rregullatorët amerikanë së shpejti do të miratojnë fondet e tregtueshme në shkëmbim në bitcoin (ETF).
Në sesionin e kaluar, bitcoin u ngjit deri në 42,162 dollarë, niveli më i lartë që nga prilli 2022, por më pas u tërhoq për ta mbyllur ditën në rritje me 8%. Fitimet e Bitcoin rritën edhe aksionet e kompanive të lidhura me kriptovalutat, si dhe fondet e tregtuara në shkëmbim (ETF) të listuara në Shtetet e Bashkuara.
Coinbase u rrit me 7% dhe Microstrategy fitoi 6.3% të vlerës, ndërsa “minatorët” e bitcoin si Riot Platforms, Marathon Digital dhe CleanSpark u rritën midis 7% dhe 13%. Javën e kaluar, Microstrategy njoftoi se bleu 593 milionë dollarë shtesë në bitcoin gjatë nëntorit. Rritja e jashtëzakonshme e bitcoin mund t’i atribuohet një disa faktorëve, si optimizmi se rregullatori i letrave me vlerë në SHBA mund të miratojë së shpejti një ETF të bitcoin, i cili do të hapte tregun për miliona investitorë të tjerë.
Edhe ulja e inflacionit do t’i bënte bankat qendrore të fillojnë të lehtësojnë normat e interesit, duke i bërë asetet me risk më tërheqëse për investitorët. Gjatë këtij viti, bitcoin ka fituar mbi 150% të vlerës. Investitorët janë të bindur se Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA mund të miratojë disa ETF në bitcoin që në janar të vitit të ardhshëm.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.